Dalin videot e dëshmive të Bill e Hillary Clinton në Kongres për lidhjen me Epstein: E vërteta e fotos në vaskë, biseda me Donald Trump për financierin Të paktën 14 persona janë vrarë dhe 120 të tjerë janë plagosur, pas dy shpërthimive të fuqishme në ndërtesën e policisë në qytetin Mansoura, bën të ditur Ministria e Brendshme egjiptiane.
“Shpërthimi ishte shumë i fuqishëm, sa që pjesë të gardhit rrethues të Drejtorisë janë shkatërruar totalisht”, raporton korrespondenti i Al Jazeera-s nga Drejtoria e Policisë së Sigurimit Dakhalya, gjatë orëve të para të së martës.
Mes të plagosurve raportohet të ketë policë dhe civilë. Shpërthimi ndodhi më 01:10 me orën lokale, ndërsa sipas njoftimeve të fundit është shembur një pjesë e madhe e ndërtesës 5-katëshe.
Al Ahram, një agjenci lajmesh egjiptiane, bën të ditur se menaxheri i përgjithshëm i spitaleve të Mansoura-s ka njoftuar për 120 të plagosur, veç viktimave.
Mes të plagosurve është edhe kreu i Drejtorisë së Sigurimit, shton agjencia shtetërore e lajmeve MENA, duke cituar burime zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë. Ndërkohë, një fugon policie me 15 punonjës, i parkuar anës ndërtesës është shkatërruar plotësisht, ndërsa 4 trupa janë nxjerrë prej tij, kurse ekipet e shpëtimit po punojnë për nxjerrjen e trupave të tjerë.
Shpërthimi i parë ndodhi në një nga katet e sipërme të ndërtesës, e më pas u ndoq nga një shpërthim me autobombë jashtë saj, njofton MENA.
Të paktën 10 ambulanca janë drejtuar për në vendngjarje, ndërkohë që lajmi u publikua fillimisht në Twitter. Asnjë grup nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin, edhe pse ka raportime se keqbërësit kanë pasur informacione se cilët ishin pjesëmarrës në mbledhjen që po zhvillohej brenda ndërtesës.
Të burgosurit e Vllazërisë Muslimane në grevë urie
Më herët, gjatë ditës së hënë, më shumë se 450 të burgosur të Vllazërisë Muslimane u futën në grevë urie në Egjipt, duke shenjë proteste ndaj “trajtimeve çnjerëzore” që u bëhen atyre.
Të burgosurit, ndër të cilët edhe ndihmësit më të lartë të presidentit të rrëzuar Mohammed Morsi, thanë se u ishin refuzuar vizitat familjare, aksesi ndaj kujdesit shëndetësor dhe konsultave ligjore, ndërkohë që jetojnë në qeli të mbipopulluara dhe aspak higjenike. Më shumë se 2000 anëtarë të Vllazërisë Muslimane janë arrestuar, që pas rrëzimit të Morsi-t në korrik të 2013-s.
Top Channel