
Deklarimi kryeministrit Edi Rama se forca dhe individë që ëndërrojnë
hapur dhe propagandojnë përditë mbylljen në vetvete të Bashkimit
Evropian dhe deri edhe daljen nga euro-ja apo nxjerrjen e vendeve të tyre
jashtë BE-së, lidhet drejtpërdrejt me forcimin e partive të ekstremit
të djathtë në Europë.
Por cilat janë këto parti politike të cilat padyshim patën ndikim në vendimarrjen qeverive të vendeve të tyre në lidhje me statusit e Shqipërisë?
Në Holandë, Partia e Lirë e udhëhequr prej Geert Wilders pjesë e koalicionit qeverisës, i njohur për qëndrimet ekstremiste ndaj personave me besim islam, përfshi deklaratat e forta kundra emigracionit në BE. I cilësuar nga BBC si njeriu më antieuropian, në të shkuarën ai kë bërë një sërë deklaratash kundra Shqipërisë. Ishin deputetët e Partisë së Lirisë në Komisionin Parlamentar për Çështjet e Europës, të cilët, kur po dikutohej vota holandeze për statusin e Shqipërisë, ngritën mospëlqimin pasi shumica popullsisë shqiptare, sipas tyre, ishte e besimit islam.
Pavarësisht se nuk dihet shumë rreth diskutimeve në Francë për statusin e Shqipërisë duket se një prej arsyeje që Parisi u vendos në bllokun e vendeve kundër, janë qëndrimet anti zgjerim të Frontit Nacional, të cilin e drejton eurodeputetja Marine Le Pen. Në zgjedhjet e fundit presidenciale kjo parti mori 6.4 milionë vota.
Në Britaninë e Madhe, paçka se Kryeministri konservator David Cameron një mbështetës i kahershëm i zgjerimit, papritmas doli hapur kundër aspiratës së Shqipërisë dhe Serbisë për të hedhur hapa të tjerë drejt BE-së, kjo lidhet me fuqizimin e “UK Independent Party”, e cila nga sondazhet e fundit gëzon 11 % të elektoratit, dy pikë më shumë se Liberal Demokratët e Nick Kleg, parti e koalicionit qeverisës. Rritja elektoratit nga ‘UK-Indipendent Party’ përmes thirrjeve anti Europë e në veçanti ato anti emigracion janë shkaku radikalizimit të deklaratave të Cameron ditët e fundit kundra zgjerimit.
Ralf Gjoni, Këshilltar për Politikën e Jashtme në Kuvendin e Shqipërisë flet për një anti-europianizëm në rritje tek ato vende, të cilat u bënë pengesë për statusin e vendit kandidat të vëndit tonë.
“Po të bëjmë një analizë të disa vendeve anëtare të BE-së, sidomos Holanda, Franca dhe Britania e Madhe, mendoj se ka patur një ndikim të partive të ekstremit të djathtë të cilat në mënyrë shqetësuese janë në rritje në këto vende. Ajo që është më shqetësuese nëse do të flasim si proeuropianë, për zgjedhjet e ardhshme në Parlamentin Europian, është se ka një pritshmëri të sigurtë, për një grup të fortë të partive radikale. BE-ja, në një nga strukturat më të rëndësishme të tij, do të ketë një përbërje domethënëse të këtyre partive që në thelb janë antieuropiane”, thotë Gjoni.
Të tilla pritshmëri shqetësuese për një prezencë të fortë të një blloku të partive radikale ekstremiste ne Parlamentin e ardhshëm Europian, ngrejnë dyshime përsa i përket politikës së zgjerimit që do të ndjekë Bashkimi Evropian në të ardhmen dhe që në thelb kërcënon në mënyrë të drejtpërdrejtë perspektivën evropiane të zgjerimit për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kjo situatë e kthen Shqiperië në një peng të një momenti të vështirë historic, që po kalojnë disa vende të rëndësishme me peshë në BE.
Top Channel