Vdes Kallashnikovi

23/12/2013 00:00

Vdiq në moshën 94-vjeçare Mikhail Kallashnikov, babai i “AK47”, armës së njohur gjërësisht nga mbiemri i tij dhe ndoshta ndër më vdekjeprurëset të ndërtuara ndonjëherë nga dora e njeriut.

Armët e projektuara prej tij shpejt u shndërruan ndër më të përhapurat në planet. Dhjetra vende e implementuan në ushtritë përkatëse, ndërsa nuk mungojnë as ato shtete që këtë armë e kanë edhe si simbol në flamujt kombëtarë.

Përvec kësaj, “Kallashnikovi” u bë arma simbol e revolucioneve. Ajo gjeti zbatim në konflikte historike për liri dhe pavarësi si në Vietnam, Angola, Algjeri dhe Afganistan nga vende të tjera.

Pas 1990-ës është përdorur gjërësisht nga grupet terroriste në Lindjen e Mesme, Afrikë dhe në Azi. Majën e popullaritetit e arriti falë Bin Ladenit dhe video-mesazheve të shprëndara prej tij pas 11 shtatorit 2001, ku gjithmonë shfaqej me një “Kallashnikov” në dorë.

Thjeshtësia, prakticiteti në betejë dhe cmimi i lirë e bënë shpejt armën më të përhapur në botë.

Mikhail Kalashnikov lindi më 10 nëntor të 1919 në një familje bujqish në fshatin Kurya, në territorin Altai. Ai ishte njëri prej 18 fëmijëve të një familjeve dhe vetëm i gjashti që mbijetoi.

Në vitin 1938 u thërrit nga “Ushtria e Kuqe” dhe aftësitë e tij projektuese u përdorën në përmirësimin e armëve të lehta dhe të tankeve të ushtrisë sovjetike të asaj kohe.

Në 1941 plagoset gjatë një betejë me ushtrinë gjermane. Pikërisht gjatë kohës së kaluar në spital për t’u kuruar, nisi punën për projektimin e armës që më pas do të bënte të famshëm në të gjithë botën.

Ushtria gjermane kishte mundur të realizonte armë të lehta, që qëllonin në breshëri me saktësi të madhe. Avantazhi i saj në armatim gjatë viteve të luftës ndaj ushtrisë sovjetike ishte i ndjeshëm.

Gjatë qëndrimit në spital, një tjetër ushtar i afrohet dhe i thotë se përse ushtria ruse nuk mund të kishte një armë që të krahasohej me saktësinë dhe fuqinë e armëve të gjermanëve?

“Kështu projektova një armë automatike për ushtarin. E quajtëm ‘Avtomat Kalashnikova”, rrëfen vite më vonë Mikhail.

Ai pranoi se ka patur disa probleme funksionimi me prototipat e parë dhe se modeli përfundimtar u realizua në vitin 1947 dhe emri i armës u shkurtua në “AK47”. Arma e re u adoptua nga ushtria sovjetike në vitin 1949 dhe babai i saj u nderu me cmimin “Stalin, Klasi i Parë”.

Ky ishte njëri prej titujve të parë. Të tjerë do të pasonin më pas, si ai i “Urdhërit të Leninit” dhe “Heroit të Punës Socialiste”. Në 75-vjetorin e lindjes, ai mori gradën e Gjeneral-Majorit nga presidenti Boris Yeltsin.

Megjithëse ishte shpikësi i një arme të përdorimit në masë përfitimet financiare për të ishin thuajse zero. Thjeshtësia e armës, bënë që shumë vende ta prodhonin vetë atë, pa patur nevojën që të bënin porosi nga Bashkimi Sovjetik.

I vetmi përfitim i tij ka mbërritur kur ishte në moshën 83-vjeçare, kur pas një beteje gjyqësore fitoi 30 përqind të aksioneve të një kompanie gjermane të prodhimit të cadrave dhe ujit mineral që përdorte emrin “Kallashnikov”.

“AK-47” dhe modelet e tjera më të avancuara të saj, si “AK-M” dhe “AK-74” janë trashëgimia që garantojnë se emri i tij nuk do të harrohet.

Pas ’90 Mikhail Kallashnikov refuzoi përgjegjësinë për miliona persona të vdekur prej armës së shpikur prej tij.

“Objektivi im ishte që të krijoja një armë për të mbrojtur kufijtë e atdheut tim. Nuk është faji im që AK-47 është përdorur në shumë rajone të trazuara. Mendoj që faji i takon politikave të qeverive përkatëse dhe jo i projektuesit të armës”, deklaronte ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB