“Tregu kaotik i medias shqiptare”

23/12/2013 00:00

Shqipëria duhet të ndryshojë në praktikë sistemin për median. Sipas
Olivier Basille, drejtori i Zyrës së BE-së për ‘Reporterët pa Kufij’,
vendi ka një treg të vogël, i cili mund kontrollohet lehtësisht nga
kushdo dhe falë presioneve, shumë gazetarë detyrohen të lënë profesionin
ose të pranojnë korrupsionin.

“Për fat të keq, Shqipëria është thellësisht poshtë me indeksin e përvitshëm që publikojmë ne për lirinë e medias. E dua atë vend. E dua vërtet, e shpresoj që një ditë t’i bashkohet BE-së, sepse e meriton dhe është pjesë e kësaj familje. Por, në të njëjtën kohë, Shqipëria është në një vend shumë tepër të keq. E pozicionuar përtej 100-tës siç kujtoj ndër 180 vende, e për shumë arsye. Së pari qëndron se si funksionon tregu. Kush e organizon atë? Kush është pronar i medias në Shqipëri? Ende nuk kemi përgjigje për këto, për të mos kaluar nga përgjigjet paraprake tek mjetet. Sërish, nuk dihet as kush,as pse.. Ekziston në Shqipëri dhe kjo loja me sistemin për reklamat. E pamë këtë me zgjedhjet, para dhe pas zgjedhjeve. Pamë sistemin që ngriti Berisha. Por, nga ana tjetër dhe opozita luan ngjashëm. Prandaj themi gjithmonë se kjo nuk është një çështje e të majtës apo të djathtës, por e tregut të organizuar në mënyrë të tillë dhe politikanët janë vërtet pjesë e këtij tregu, të lidhur madje në disa vende. Insistojmë vazhdimisht se nuk mund t’i krahasojmë këto vende me Francën, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, për shkak se janë tregje më të mëdha, edhe pse mund të gjesh ngjashmëri”, thotë Basille.

Nisur nga rastet e dënimeve me gjobë ndaj medias për shpifje, drejtori i zyrës europiane për Reporterët pa Kufij, vëren nevojën e trajnimit të gjyqtarëve në vendet e Ballkanit.

“Faktet tregojnë se ka nxitje për legjislacion të ri, struktura të reja apo reforma përsa i takon të drejtave për median dhe kjo është e drejtë sepse ka gjëra që mund të ndryshohen, sidomos kur janë të vjetëruara. Kështu që ia dalim me sukses për ca tekste të reja në mbështetje të medias, për ca kritere të reja ndaj Ballkanit dhe kjo bën që në disa raste, ligjet e reja të jenë mbase dhe më mira se në disa vende anëtare të BE-së dhe ne e duartokasim këtë. Por, në të njëjtën kohë, organizohen strukturat për të ndjekur penalisht median dhe gjobat shpesh nuk janë në përputhje me problemet apo çështjet e ngritura. Arrihet në 10 mijë euro, 100 mijë euro, 500 mijë euro, apo dhe deri në 1 milion euro për disa vende. Pra miliona euro mblidhen nga gjobat ndaj medias për shpifjet dhe problemet që sjell informacioni i rremë apo nuk e di çfarë tjetër. Nuk po them se nuk egziston informacioni i rremë në Ballkan, por se sistemi nuk mund të organizohet kështu”, u shpreh Basille.

Organizata ndërkombëtare Reporterë pa Kufij vlerëson çdo vit nivelin e lirisë së shprehjes në 179 vende të ndryshme të botës. Në 2013, Shqipëria u pozicionua e 102, duke pësuar një rënie të ndjeshme prej 6 vendesh, krahasuar me vitin paraardhës.

Top Channel