Helmoi qëllimisht 30 pacientët e tij, mjeku anestezist dënohet me burgim të përjetshëm, hiqej si shpëtimtar
Ushtria qeveritare në Sudanin e Jugut është në fazën e fundit të përgatitjeve për të mësyrë ushtarakisht në qytetin e Borit, që kontrollohet nga rebelët.
Lajmi u njoftua nga presidenti i vendit, Salva Kiir para parlamentit vendas. Ai tha se ushtria ka qenë gati për të ndërhyrë prej ditësh, por se kishte mbajtur pezull urdhërin për t’u dhënë kohë shtetasve amerikanë dhe të tjerë që të tërhiqen nga zona.
Qyteti i Borit ra në duart e rebelëve të mërkurën e javës së shkuar. Një javë konflikti dhe dhunë ndëretnike ka ngjallur frikën e një lufte civile në shtetin afrikan. Koordinatori i OKB-së për ndihmën humanitare, Toby Lanzer tha për BBC se ekzekutime në masë që po zhvillohen në qytetin e Borit.
Dhuna shpërtheu një javë më parë me përplasjet mes trupave besnike të presidentit Salva Kiir dhe mbështetësve të ish-zëvendësit të tij. Gjendja në rajon është aq e rënduar sa Shtetet e Bashkuara kanë nisur evakuimin e qytetarëve të tyre prej andej me urgjencë.
Përmes një letre drejtuar Kongresit, presidenti amerikan Barak Obama bëri me dije të dielën se mund të ndërmarrë veprime të mëtejshme ushtarake për mbrojtjen e amerikanëve që po tentojnë largimin nga Sudani i Jugut. 46 trupa janë dërguar në këtë vend për të ndihmuar evakuimin e shtetasve amerikanë, thuhet në letrën e Obamës, e do të shërbejnë edhe si forca shtesë për 45 ushtarët e ngarkuar me sigurinë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Juba.
Katër pjesëtarë të forcave të armatosura amerikane u plagosën dy ditë më parë gjatë misionit të evakuimit kur tre avionë luftarakë u qëlluan me breshëri plumbash në Bor. Gjendja e tyre shëndetësore është e stabilizuar. Nuk dihet ndërkohë me siguri se sa amerikanë vazhdojnë të mbeten të bllokuar në këtë qytet apo dhe në zonat rurale të vendit.
Sudani i Jugut fitoi pavarësinë korrik të 2011-ës nga pjesa tjetër e Sudanit, duke i dhënë fund një lufte të përgjakëshme që zgjaste me dekada. Pavarësia dhe fundi i konflikteve i dha një hov zhvillimit ekonomik të vendit, ndër më të varfërit në botë. Vetëm për 2013-ën, të dhënat zyrtare folën për një rritje me 30 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, që kryesisht mbështetet tek nafta dhe gazi.
Top Channel