Stuhia e acartë paralizon Kanadanë

23/12/2013 00:00

Toronto, Ontario dhe pjesë të tjerë në lindje të Kanadasë janë përfshirë nga një stuhi e paprecedentë dëbore dhe acari që ka shkaktuar bllokim të transportit dhe ndërprerje të energjisë elektrike për qindra-mijëra qytetarë.

Qyteti më i goditur është Toronto, më i madhi i vendit. Të paktën 11 persona janë raportuar të vdekur në Kanada dhe një pjesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjithashtu të prekura nga stuhia e acartë. Autoritetet e menaxhimit të rrjetit elektrik njoftuan avari të shumta.

Sipas tyre, 250 mijë qytetarë vazhdojnë të vuajnë mungesën e energjisë elektrike, ndërsa thanë se kushtet e këqia të motit vështirësojnë punën për riparimin e linjave, që sipas tyre, do të kërkojnë të paktën 72 orë.

Mijëra të tjerë u bllokuan në aeroportin e Torontos, Otauas, Montrealit dhe Nju Jorkut ku dhjetra fluturime u anuluan.

Trashësia e akullit në rrugë shkon në disa centimetra. Autoritetet hapën qëndrat publike me sistem ngrohjeje për të gjithë qytetarët që vuajnë mungesën e energjisë, ndërsa bënë thirrje për të shmangur në maksimum lëvizjet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB