Gjithësej 16 ish-pjesëtarë të MUP-it serb, që tani janë bërë pjesë e Policisë së Kosovës, kanë refuzuar të shkojnë të hënën në Prishtinë për t’u pajisur me armë dhe kartën identifikuese të policisë.

Lajmin e bëjnë të ditur burime të agjencisë kosovare “Kosovapress”.

“Ish-pjesëtarët e MUP-it duhet të shkonin sot në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës në Prishtinë, për të marr armët dhe pajisjet e tjera, si dhe për t’u fotografuar për ID-të policore, por ata janë duke e refuzuar një gjë të tillë”, kanë thënë burimet.

Më herët gjatë muajit, në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës, në pjesën Veriore të Mitrovicës, filloi zyrtarisht integrimi i ish-pjesëtareve të MUP-it në Policinë e Kosovës.

Me këtë rast u nënshkruan kontratat e punës me 16 zyrtarë policorë, si dhe u firmos Deklarata e Betimit në përputhje me parimet dhe proçedurat e Policisë së Kosovës.

Nënshkrimit të kontratës së punës i parapriu procesi i verifikimit të identitetit të tyre nga ana e Agjencisë së Regjistrimit Civil të MPB-së dhe verifikimit të së kaluarës së tyre nga ana e PK-së dhe EULEX-it.

Top Channel