
Lidhja Demokratike e Kosovës shënoi të hënën 24-vjetorin e themelimit. Kryetari Isa Mustafa mbajti një fjalim në të cilin theksoi se themelimi i LDK-së më 23 dhjetor 1989 ishte akti më i rëndësishëm i rirreshtimit politik e kulturor të popullit të Kosovës në skenën e politikës globale.
Sipas tij, krijimi i saj ishte akti i refuzimit të ish-sistemit komunist dhe i nisjes pa dilemë të udhës së gjatë, por të pakthyeshme të integrimit në familjen e vendeve të lira dhe demokratike perëndimore.
“Ndërsa në Evropë po binte muri i Berlinit, LDK-ja nisi shembjen e mureve ndërshqiptare, duke u bërë shpejt, siç thoshte arkitekti i pavarësisë së Kosovës, doktor Ibrahim Rugova, shpresë dhe besë për Kosovën dhe për të gjithë shqiptarët”, tha Mustafa.
Sipas tij, LDK-ja solli ndryshime të mëdha cilësore; ajo i hapi udhë demokracisë së brendshme, mbajti të bashkuar popullin e Kosovës dhe organizoi sistemin e pavarur të Republikës së Kosovës, nën kushtet e një shtetrrethimi të egër policor, ushtarak e paramilitar.
“Gjithashtu, ajo i ripërtëriu aleancat e vjetra historike me vendet perëndimore, të cilat, në fakt, ishin shkëputur thuajse që nga koha e heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, vijoi Mustafa.
Partia, që doli e dyta në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë, u formua më 23 dhjetor të vitit 1989 në Prishtinë, nga një grup intelektualësh.
Ibrahim Rugova ka qenë kryetar i partisë që prej themelimit deri në janar 2006, kur edhe u nda nga jeta. Pas vdekjes së kryetarit Ibrahim Rugova, njëherësh president i Kosovës, në janar 2006 drejtimi i LDK-së u mor nga Fatmir Sejdiu.
Pas zgjedhjeve të 2007, LDK hyri në koalicion me partinë e saj rivale, PDK, koalicion ky që u prish pas dorëheqjes së Sejdiut nga posti i presidentit të Kosovës.
Në Kuvendin e partisë, që u mbajt në nëntor të vitit 2010, kryetar i LDK-së me shumicën e votave të delegatëve u zgjodh Isa Mustafa.
Top Channel