
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike, Xhavit Haliti është kundër ndryshimit të Kushtetutes për vazhdimin e vendeve të rezervuara për komunitetet pakicë.
Në vend të kësaj, ai mendon se subjektet politike mund të marrin një vendim politik i cili do të korrespodonte me proceset politike nëpër të cilat po kalon Kosova.
Një vendim ky, i cili sipas zotit Haliti do të vendoste ose për vendet e rezervuara, ose për ato të garantuara e aspak për të dyja, pasi siç thotë ai nuk është mirë.
Këto komente nënkryetari i Kuvendit i bëri pas mbledhjes së kryesisë në të cilën u mor vendimi që të procedohet projektligji për buxhetin e 2014-s me amandamentin për shitjen e PTK-së, pavarësisht kundërshtimeve të opozitës.
“Nese bëhet numri i barabartë i ulësve në Kuvendin e Kosovës nga 95% me 5%, atëherë është problem”, deklaroi Haliti.
Por, edhe një vendim politik mes liderëve do të ishte anti-kushtetutes sipas shefit të grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri.
“Kemi qenë kundër dhe jemi kundër çfarëdo privilegji në sistemin politik e juridik të Kosovës, që krijon pabarazi mes qytetarëve”, theksoi Ymeri.
Tema tjetër për të cilën pozitë e opozitë në Kosovë nuk pajtohen është privatizimi i 75% të PTK-së. Qeveria po bën përpjekjet që duke e futur në buxhetin e 2014-s ta bëjë të ligjshëm këtë proces dhe si i tillë është pjesë e rendit të ditës në seancën e se enjtes në Kuvend, pikërisht në ditën kur është caktuar data për nënshkrimin e kontratës me blerësin e PTK-së.
Kundër këtij procesi janë LDK-ja dhe Vetëvendosje, të cilat paralajmëruan bojkotin e seancës. Por përveç kësaj, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri tha se po bëhen gati ta dërgojnë buxhetin në Gjykatën Kushtetutese.
Top Channel