Komunat e veriut kanë paralajmëruar ceremoni inauguruese “neutrale ndaj statusit”, pasi Bashkimi Evropian i kërkoi Serbisë respektim të marrëveshjes.

Në këtë frymë, kryetari i zgjedhur i Mitrovicës së veriut, Kërstimir Pantiç ka thënë se do të organizohet të martën edhe ceremonia inauguruese e Kuvendit të kësaj komune.

Ministria e Pushtetit Lokal ka thënë se nuk do të tolerojë shkeljet e ligjit dhe rendit kushtetues. Inaugurimet do të përcillen edhe nga zyrtarë të Bashkimit Evropian në Kosovë.

Kërstimir Pantiç, përfaqësues i Listës së Serbisë, fitues i zgjedhjeve për komunën e re të Mitrovicë së Veriut nuk po rresht së deklaruari që ceremonia inauguruese do të jetë neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Por, ministri pa portofol për Kosovën, Aleksandar Vulin ka thënë se u është bërë me dije të zgjedhurve në veri se marrëveshja e arritur në Bruksel duhet respektuar.

Në anën tjetër, burime brenda ekipit negociator kosovar i kanë thënë Radio Kosovës se letra që zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka dërguar në adresë të Catherine Ashton ka marrë përgjigjen e qartë të Brukselit se marrëveshja duhet respektuar.

Për më tepër, ceremonitë inauguruese do të përcillen për së afërmi edhe nga zyrtarë të Bashkimit Evropian në Kosovë. Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian thuhet se ka kërkuar gjithashtu që të mos ketë vonesa rreth pajtimit për Bashkësinë e Komunave Serbe në veri, ndonëse palët janë akoma larg përafrimit të qëndrimeve.

Javën e kaluar përfaqësuesit e komunave veriore kanë tentuar të bëjnë inaugurimin e kuvendeve komunale duke iu referuar rezolutës 1244, duke përdorur logo me stemën e flamurit serb dhe duke përdorur emërtime që bien ndesh me rregullimin kushtetues të vendit.

Kjo kishte bërë që autoritet e Prishtinës t’i drejtohen ndërmjetësuesit të bisedimeve në Bruksel, ndërsa zyrtarët e Bashkimit Evropian i kanë kërkuar Serbisë t’i përmbahet kushteve të marrëveshjes.

Top Channel