Helikopterët e qeverisë siriane bombarduan Aleppo-n, qytetin e dytë më të madh në Siri, duke vrarë të paktën 25 persona.
Fuçi të mbushura me tritol u hodhën në lagjen Hanan. Të paktën 6 fëmijë humbën jetën dhe 19 të rritur, ndërsa 17 të tjerë u plagosën. Një korrespondent i Al Jazeera-s tha se bëhej fjalë për 70 viktima.
Rami Abdel Rahman, drejtor i Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, me qendër në Britaninë e Madhe, duke iu referuar aktivistëve dhe dëshmitarëve, tha se numri i viktimave mund të rritet.
Një video amatore, e publikuar online, tregon ekipe të ndihmës së shpejtë në rrugët e mbushura me tym, ku shihen automjete të shkrumbuara dhe trupa të pajetë, të shtrirë në tokë.
Të premten, kryengritësit morën nën kontroll spitalin “Al Kindi” në Aleppo, pasi hodhën në erë një kamion të mbushur me eksploziv. Duke iu referuar raportimeve ende të pakonfirmuara, të paktën 35 kryengritës humbën jetën gjatë sulmit.
Njeriu, që flet në video, siç raporton agjencia e lajmeve “Reuters”, thotë se shpërthimi ishte një sulm kamikaz i kryer nga Fronti “Al Nusra”, por pa shpjeguar përse ishte në shënjestër.
Mbi 100 mijë persona kanë humbur jetën gjatë konfliktit në Siri, që nisi dy vjet më parë. Nga 21 milionë, që është popullsia në Siri, 6500 janë të zhvendosurit brenda vendit, ndërsa 2,3 milionë jetojnë si refugjatë jashtë tij.
Top Channel