Helmoi qëllimisht 30 pacientët e tij, mjeku anestezist dënohet me burgim të përjetshëm, hiqej si shpëtimtar Mikail Kodorkovski, ish-bosi i “Jukos”-it falënderoi kancelaren gjermane, Angela Merkel, dhe ish-ministrin e Jashtëm, Hans Ditrih Gensher, që ndihmuan në lirimin e tij.
Gjatë një konference për shtyp, në Muzeumin e Murit të Berlinit, ai përshëndeti përkrahësit dhe median. Por, ai sërish këmbënguli se “dënimi i tij është i motivuar politikisht”. Ai u zotua se do të bënte gjithçka të mundur, për lirimin e të gjithë të burgosurve politikë në Rusi.
“Ka të burgosur të tjerë politikë në Rusi, jo vetëm ata që lidhen me çështjen penale të “Jukos”-it. Do të doja të thoja se ju nuk duhet të më shihni, si një simbol që nuk ka të burgosur politikë në Rusi. Ju kërkoj të më shihni si një simbol të përpjekjeve të shoqërisë civile, që mund të çojë në lirimin e atyre njerëzve, të cilët askush nuk pret t’i shohë të lirë”, tha Kodorkovski.
Më herët, ai foli për revistën ruse “The New Times”, duke thënë se nuk do të kthehej në politikë dhe as do të luftonte për kthimin e aseteve të kompanisë së tij, tashmë të shpërbërë.
Ai u bashkua me prindërit në Berlin dhe tha se nuk do të kthehej në atdhe, deri sa të ishte i sigurt se do të mund të largohej në çdo kohë, për arsye familjare.
Kodorkovski u fal pas 10 vjetësh qëndrimi në burg, i akuzuar për evazion fiskal dhe vjedhje, sepse e ëma është e sëmurë me kancer. 50-vjeçari nënvizoi se për lirimin nuk i ishte vendosur asnjë kusht nga presidenti rus, Vladimir Putin, por pranoi se largimi i tij ishte një inskenim, i denjë – siç tha ai – për filmat e viteve 1970 për deportimin e një disidenti.
Mikail Kodorkovski ka deklaruar shpesh, se dënimi i tij ka qënë i motivuar politikisht, sepse një pjesë e pasurisë së tij u shkoi partive ruse në opozitë.
Në kohën e arrestimit, ai ishte njeriu më i pasur në Rusi. Revista “Forbes” e vlerësonte pasurinë e tij në 15 miliardë dollarë, përpara arrestimit të tij në vitin 2003, ndërsa sot, nëse do të bëjmë një krahasim, njeriu më i pasur në Rusi është Alisher Usmanov, dhe pasuria e tij llogaritet në 17,6 miliardë dollarë.
Mikail Kodorkovski doli nga burgu të premten dhe iu dorëzua pasaporta e dokumentet e nevojshëm për të udhëtuar nga Shën Pjetërburgu në Berlin.
Falja e tij erdhi, pasi deputetët rusë mbështetën një amnisti për 20 mijë të burgosur, mes të cilëve edhe ish-bosi i “Jukos”-it, i cili do të dilte nga burgu në Gusht të vitit të ardhshëm.
Shefi i Kremlinit konfirmoi se falje do të marrin dhe dy anëtarët e grupit “Pussy Riot” dhe aktivistët e “Greenpeace”.
Për analistët dhe vëzhguesit, Putin po përpiqet të zbusë kritikat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, përpara Lojërave Olimpike të Sochi-t, që do të zhvillohen në Shkurt të vitit të ardhshëm.
Top Channel