Tajlandë, opozita: Bojkot zgjedhjeve

21/12/2013 00:00

Partia kryesore e opozitës në Tajlandë, Partia Demokratike, ka njoftuar se do të bojkotojë zgjedhjet e parakohshme të planifikuara më 2 shkurt të vitit 2014.

Kryetari i partisë, Abhisit Vejajiva tha në një konferencë për shtyp se nuk do të ketë kandidatë në terren, pasi sipas tij, “politika tajlandeze ndodhet në një fazë falimentimi”. “Populli tajlandez ka humbur besimin tek sistemi demokratik”, tha ai.

Kryeministrja Yingluck Shinawatra shpalli mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme më herët gjatë muajit, në përpjekje për t’u dhënë fund protestave masive që zgjasnin prej javësh.

Komandanti i ushtrisë tajlandeze ka paralajmëruar ndërkohë se ndasitë politike në vend mund të shkaktojnë një luftë civile. Gjenerali Prayuth Chan Ocha i ka propozuar asamblesë popullore, e përbërë nga civilë nga të dyja palët, që të riparojë këto ndasi.

“Situata mund të çojë në një luftë civile. Duhet arritur një kompromis nga një grup neutral, ku të gjithë liderët politikë të jenë të përjashtuar”, ka deklaruar komandanti për “Bangkok Post.

Mbështetësit e opozitës në Bangkok kanë shkaktuar trazirat politike më serioze në Tajlandë që prej vitit 2010. Zonja Yingluck fitoi zgjedhjet e vitit 2011, por protestuesit thonë se është vëllai i saj, lideri i rrëzuar Thaksin Shinawatra, që drejton faktikisht ekzekutivin.

Partia e saj, Pheu Thai, ka shumicën në Parlament, gëzon mbështetje masive nga banorët e zonave rurale dhe ka gjasat më të mëdha që të fitojë zgjedhjet e shkurtit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB