Sudani i Jugut, rrëzohet avioni USA

21/12/2013 00:00

Një avion ushtarak amerikan është qëlluar gjatë një operacioni evakuimi në Sudanin e Jugut, bëjnë të ditur burime nga ushtria amerikane.

Për rrjedhojë tre ushtarakë amerikanë kanë mbetur të plagosur, ka njoftuar ndërkohë Departamenti i Mbrojtjes, duke nënvizuar se ushtarakët u janë nënshtruar mjekimeve.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry ka njoftuar ndërkohë nisjen për në Sudan të të dërguarit të posaçëm të Shteteve të Bashkuara në rajon, për të promovuar dialogun mes fraksioneve rivale në vend.

Ky vendim i administratës amerikane është marrë një ditë pas sulmit ndaj bazës së OKB-së në Akobo, që shkaktoi vdekjen e dy paqeruajtësve indianë dhe të paktën 20 civilëve.

“Është koha që liderët e Sudanit të Jugut të mbajnë nën kontroll grupet e armatosura, të ndalojnë menjëherë sulmet ndaj civilëve dhe t’i japin fund spiraleve të dhunës mes grupeve të ndryshme etnike dhe politike”, ka deklaruar Kerry.

Të enjten, sekretari i Shtetit telefonoi edhe presidentin sudanez, Salva Kiir, duke i kërkuar mbrojtjen e të gjithë qytetarëve dhe që të punojë për vendosjen e paqes.

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur rreth 45 ushtarë në Sudanin e Jugut për të garantuar sigurinë e qytetarëve të saj në këtë vend, në rast të ashpërsimit të luftimeve. Lajmin e ka bërë të ditur vetë presidenti amerikan Barack Obama përmes një letre drejtuar Kongresit.

“Ushtarët tanë, të mirarmatosur për luftim, janë vendosur për të garantuar mbrojtjen e qytetarëve tanë dhe interesave amerikane dhe do qëndrojnë aty sa të jetë e nevojshme”, thotë Obama në letër.

Top Channel