Meksikë, ushtria shfarros narko-bandën

21/12/2013 00:00

Skena lufte në Puerto Penasco, në shtetin meksikan të Baja Kalifornia, ku disa njësi ushtarake kanë bllokuar një autokolonë të trafikantëve dhe ka shpërthyer beteja.

Një betejë e mirëfilltë që ka lënë të paktën 5 kriminelë të vrarë, mes të cilëve Gonzalo Inzunza, i njohur me pseudonimin “El Macho Prieto”, personazh me peshë i kartelit të Sinaloas.

Për të neutralizuar bandën, ushtarakët kanë përdorur mitralozë dhe të paktën një helikopter që ka qëlluar me breshëri ndaj një fuoristrade të blinduar të përdorur si strehë.

Por edhe gangsterët ishin të armatosur rëndë dhe ndoshta kishin një pushkë të tipit “Barrett”, në gjendje të depërtojë metalin e autoblindave ushtarake.

Gjithësesi, kjo nuk është për t’u habitur, pasi grupet kriminale lokale disponojnë një fuqi zjarri befasuese. Dinamika e ngjarjes, sikundër ndodh zakonisht në Meksikë, është ende për t’u sqaruar dhe nuk mungojnë supozimet.

Sipas autoriteteve, disa banditë kanë arritur të arratisen duke marrë edhe kufomën e “El Macho Prieto”, një metodë kjo e trafikantëve që kur munden nuk e lënë kurrë trupin e bosit në duart e policisë.

Një zë i pakonfirmuar ka shtuar se kriminelët janë arratisur duke përdorur një tunel, por për këtë duhet ende konfirmimi.

Bosi ishte i kërkuar prej kohësh dhe ishte futur në listën e zezë të Departamentit amerikan të Thesarit për shkak të aktivitetit në radhët e kartelit të Sinaloas.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB