Lockerbie, shërbesa për 25-vjetorin

21/12/2013 00:00

Shërbesa përkujtimore do të mbahen në Britani dhe Shtetet e Bashkuara, për të shënuar 25-vjetorin e bombardimeve në Lockerbie, ku mbetën të vdekur 270 persona.

Një shërbesë kishtare dhe vendosje e kurorave me lule do të mbahen në jug të qytetit skocez, i cili u shkatërrua kur fluturimi “Pan Am 103” u rrëzua në 1988. Një shërbesë përkujtimoreje do të zhvillohet gjithashtu edhe në “Westminster Abbey” të Londrës.

Në SHBA, një ceremoni do të mbahet në lapidarin përkujtues në varrezat kombëtare të Arlington, pranë Uashington DC.

Bombardimi i Lockerbie mbetet ende akti më vdekjeprurës terrorist që është kryer ndonjëherë në Britaninë e Madhe dhe, deri para se të ndodhnin sulmet e 11 Shtatorit në SHBA, ai ishte gjithashtu edhe përgjegjës i humbjeve më të mëdha të jetëve njerëzore amerikane në një sulm të tillë.

Avioni “Boeing 747” kishte mbi gjysmë ore që ishte ngritur në fluturim, nga Londra për në New York, ndërkohë që shpërtheu vetëm pak sekonda para orës 19:03 (me orën londineze), më 21 dhjetor 1988.

Plot 243 pasagjerë dhe 16 anëtarë ekuipazhi humbën jetën, ndërsa 11 persona të tjerë u vranë në shtëpitë e tyre, kur rrënojat e avionit goditën tokën në Lockerbie. Shumica e pasagjerëve dhe ekuipazhit në bordin e avionit ishin shtetas amerikanë.

Në Shtetet e Bashkuara, një shërbesë e “shpresës dhe kujtesës” është planifikuar në Hendricks Chapel të Universitetit të Sirakuzës në shtetin e New York-ut, që humbi 35 studentë, të cilët po studionin në kampusin e tij në Londër. Shërbesa do të pasohet nga një kortezh në Murin Përkujtimor të tij.

Një tjetër shërbesë do të zhvillohet në Lubin House të universitetit, në New York.

Eventet në varrezat kombëtare të Arlington-it do të përqendrohen në Lapidarin Përkujtimor të “Pan Am 103”. Ai është krijuar nga 270 blloqe gurës skocezë, një për secilin prej viktimave të bombardimit. Eventet në Lockerbie do të nisin me vendosjen e kurorave me lule në varrezat “Dryfesdale”, gjatë pasditës, ndërsa në mbrëmje do të ketë një shërbesë në kishën “Dryfesdale”, ku do të jetë i shpalosur një mesazh: Shohim përpara!

Një libian, Abdelbaset al-Megrahi, u dënua për bombardimin nga një gjykatë speciale skoceze, e vendosur në Holandë në vitin 2001. Ai u lirua nga burgu për arsye mëshiruese në 2009, pasi u diagnostikua me kancer të avancuar në prostatë. Ai ndërroi jetë në shtëpinë e tij në Tripoli, vitin e kaluar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA