Pas Fakultetit të Mjekësisë në Kosovë, ku Prokuroria e Shtetit ka filluar arrestimet për korrupsion, edhe Fakulteti i Ndërtimit dhe Arkitekturës është denoncuar në këtë institucion për korrupsion.

Këtë e ka bërë Shoqata e Arkitektëve, që ka kërkuar nga Prokuroria që Fakulteti i Ndërtimit të hetohet për krim të organizuar.

Në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit publik të Prishtinës dyshohet se është bërë korrupsion, për çka deri tani janë arrestuar 11 punonjës të tij, si dhe janë bërë një sërë shkarkimesh e pezullime nga Rektorati i UP-së.

“Express” ka siguruar denoncimin që është bërë në Prokurorinë e Shtetit edhe për Fakultetin e Ndërtimit dhe Arkitekturës (FNA) në vitin 2012. Në këtë denoncim ftohet Prokuroria e Shtetit që të nisë hetimet për një sërë veprash penale.

“Përmes kësaj shkrese zyrtare ju drejtohem juve, pasi na janë shterur të gjitha shtigjet në të gjitha nivelet ku kemi kërkuar për fillimin e hetimeve dhe përndjekjen e individëve që shkelin ligjet e Kosovës dhe përfitojnë nga buxheti i Republikës së Kosovës në mënyrë të kundërligjshme”, thuhet në denoncimin e Shoqatës së Arkitektëve dërguar kryeprokurorit Ismet Kabashi.

Kjo shoqatë, në thirrjen e saj për hetim i tregon Prokurorisë së Shtetit edhe për neglizhimin që i është bërë.

Top Channel