Kina kundër strategjisë ushtarake japoneze

21/12/2013 00:00

Kina ka denoncuar strategjinë e re të sigurisë së Japonisë duke e cilësuar atë si ekspansioniste. Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes në Pekin tha se lëvizja e Tokios do të rrisë tensionet në rajon.

Në fillim të kësaj jave, Japonia njoftoi rritjen e fondeve për përforcimet ushtarake me teknologji të fjalës së fundit. Kryeministri Abe tha se vendi do të investohet në blerjen e teknologjisë së fundit të avionëve luftarakë pa pilotë dhe mjeteve të blinduara amfibe në 5 vitet e ardhshme.

Lëvizja vjen në një kohë kur Tokio është i përfshirë në një përplasje me Pekinin, në lidhje me kontrollin e ishujve të Detit Lindor, që pretendohen nga të dyja palët.

Ajo reflekton shqetësimin për agresivitetin në rritje të Kinës për pretendimet e saj territoriale dhe për rritjen e shpenzimeve ushtarake nga qeveria e Pekinit.

“Qëndrimi i Kinës ndaj vendeve të tjera dhe lëvizjet e saj ushtarake, të shoqëruara me mungesë transparence për politikat e saj të sigurisë kombëtare përbëjnë një shqetësim për Japoninë dhe komunitetin ndërkombëtar dhe kërkojnë mbikëqyrje”, thotë drafti i miratuar.

Japonia rriti shpenzimet për mbrojtjen janarin e kaluar, pas një dekade të tërë shkurtimesh. Kryeministri Shinzo Abe, që u zgjodh një vit më parë, ka kërkuar që Japonia të zgjerojë aktivitetet e saj ushtarake, diçka që ishte shumë e kufizuar nga kushtetuta e pasluftës.

Gjithashtu, ai ka ngritur një Këshill Kombëtar Sigurie për të mbikëqyrur çështjet kyçe. “Aprovimi i strategjisë së sigurisë kombëtare e bën politikën e jashtme dhe ushtarake të Japonisë transparente për popullin japonez dhe gjithë botën”, ka deklaruar Abe.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB