Brahimi: S’ka marrëveshje për prezencën e Iranit

21/12/2013 00:00

Negociatorët ndërkombëtarë nuk kanë mundur të arrijnë një marrëveshje, nëse do të ftojnë apo jo Iranin në bisedimet e paqes mbi konfliktin sirian, bën të ditur i dërguari i OKB-së dhe Ligës Arabe në Siri.

Lakhdar Brahimi tha se SHBA-të janë ende të pabindur se pjesëmarrja e Iranit “do të ishte gjëja më e drejtë për t’u bërë”. Ai tha se 26 kombe janë pyetur për t’iu bashkuar konferencës, që pritet të zhvillohet në Zvicër gjatë muajit Janar.

SHBA-të, OKB-ja dhe Rusia kanë hasur vështirësi prej muajsh për zhvillimin e bisedimeve, të njohura si “Gjeneva II”, mbi këtë çështje.

Konferenca synon të sigurojë dërgimin e ndihmave humanitare, fundin e luftimeve dhe përvijimin e një tranzicioni politik për Sirinë. Brahimi u takua me delegacionet amerikane dhe ruse në qytetin zvicerian të Gjenevës, për të përfunduar listën e kombeve pjesëmarrëse në bisedimet e planifikuara për më 22 Janar.

“Ende s’kemi rënë dakord për Iranin”, tha ai për reporterët gjatë së premtes. “Nuk është aspak sekret se ne si OKB e mirëpresim pjesëmarrjen e Iranit, por partnerët tanë në SHBA ende nuk janë të bindur”.

Amerika kundërshton prezencën e Iranit, për shkak të mbështetjes që Teherani i ka dhënë presidentit sirian, Bashar al-Assad. Brahimi theksoi se do të vazhdojë të punojë me zyrtarët iranianë, edhe nëse ata nuk do të ftohen zyrtarisht.

“Autoritetet iraniane na kanë thënë se do të donin të ishin në Gjenevë, por nëse kjo nuk është e mundur, nuk do të ishte fundi i botës. Ata e mbështesin këtë proces dhe do të vazhdojnë të punojnë me ne”, tha ai. Brahimi njoftoi se Katari dhe Arabia Saudite do t’i bashkohen “Gjenevës II”.

SHBA-ve dhe Rusisë do t’u bashkohen edhe 3 anëtarët e tjerë të përhershëm të Këshillit të Sigurisë në OKB; Britania, Kina dhe Franca. Ndërkohë, Rusia njoftoi se Siria do të përfaqësohej nga ministri i Jashtëm, Walid Muallem.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB