
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, nëpërmjet një deklarate për shtyp ka reaguar lidhur me marrjen e tij në pyetje nga EULEX për krime lufte. Ai ka thënë se sa herë të kërkohet dhe nga kushdo do të jetë i gatshëm të sqarojë dhe të mbrojë pastërtinë e luftës çlirimtare.
Sipas zotit Krasniqi, e gjitha është një propagandë, pa asnjë bazë të vërtetë dhe e cila synon të relativizojë krimet serbe në Kosovë veçmas, kur çdo ditë e më tepër ato po dalin në shesh nga protagonistët që kanë kryer vrasje më mizore kundër shqiptarëve në Kosovë.
Në reagimin e tij të parë pas intervistimit si i dyshuar për krime lufte nga një prokuror ndërkombëtar, kryetari i Kuvendit thotë se, autoritetet e hetuesisë së EULEX-it ishin të bindur se nuk ka asgjë të vërtetë në këtë propagandë, por sipas tij, ai u ftua të jepte mendimin lidhur me këtë çështje.
Me tej kryeparlamentari thekson se, “Jemi duke jetuar në një kontekst të veçantë historik, ku shpifjet kundër personaliteteve të ndryshme, madje edhe kundër një lufte çlirimtare, bëhen përmes mediave dhe askush nuk merr përgjegjësinë të sqarojë shpifje të tilla”.
Për këtë arsye, sipas Krasniqit, mohimet përmes deklaratave publike nuk mjaftojnë. “Duhet të shkohet edhe në zyrat e hetuesisë për t’u sqaruar! Ketë e bëra unë sot me gatishmërinë për të ndihmuar drejtësinë dhe të vërtetën për luftën në Kosovë 1998/99″
, thotë Krasniqi.
Top Channel