Zgjerohet rrjeti i përgjimeve

20/12/2013 00:00

Detaje të reja për persona dhe institucione të përgjuara nga administrata amerikane dhe ajo britanike janë publikuar nga mediat ndërkombëtare.

Bëhet fjalë për “The Guardian”, “New York Times” dhe “Der Spiegel”, që njoftojnë se në listën e rreth 1 mijë objektivave përfshihen një komisioner i Bashkimit Evropian, disa organizata humanitare dhe një kryeministër izraelit.

Dokumentet sekrete kanë përfunduar në duart e mediave pas publikimeve të ish-kontraktorit të NSA-së, Edward Snowden, që aktualisht është strehuar në Rusi.

Ato sugjerojnë se mbi 60 vende ishin shënjestra të planeve të NSA-së amerikane dhe britanikes GCHQ. Lajmet kanë gjasa që të shkaktojnë më shumë shqetësim ndërkombëtar në lidhje me operacionet e kryera nga Uashingtoni dhe Londra.

Lajmet se Agjencia e Sigurisë Kombëtare kishte monitoruar celularin e kancelares gjermane Angela Merkel shkaktoi një sherr diplomatik mes Berlinit dhe Uashingtonit në tetor.

“NYT” raporton se agjencia britanike GCHQ monitoroi komunikimet e liderëve të huaj, përfshirë ata afrikanë dhe disa herë familjarët e tyre, si dhe drejtues të seksioneve të ndryshme të Kombeve të Bashkuara.

Gazeta raporton gjithashtu se posta elektronike e zyrtarëve izraelitë ka përfunduar në rrjetën e monitorimeve, bashkë me një person të listuar si “kryeministri izraelit”, që në atë kohë i bie të ketë qenë Borut Pahor.

Ndërsa “The Guardian” shkruan se GCHQ përgjoi programin e OKB për zhvillimin, UNICEF, ndërtesat qeveritare gjermane dhe komisionerin evropian Joaquin Almunia.

Komisioni Evropian reagoi përmes një deklarate për shtyp se, nëse këto informacione rezultojnë të vërteta, atëherë duhet një ndëshkim i fortë. “Nuk është kjo sjellja që ne presim nga partnerët strategjikë, e jo më nga vendet tona anëtare”, thuhet në deklaratën zyrtare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB