
“Shoqëria shqiptare po vihet, edhe një herë, në provë. Ajo duhet të tregojë se ka aftësinë dhe pjekurinë e mjaftueshme për të mos i shfaqur dallimet e saj për hir të realizimit të objektivave të përbashkëta. Ne duhet të kemi parasysh se mund të përparojmë mbi bazën e pajtimeve dhe jo të konflikteve”.
Me këtë mesazh iu drejtua popullit Presidenti i Republikës Bujar Nishani pas refuzimit nga ana e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian për marrjen e statusit kandidat.
“Të vetëdijshëm se në Bashkimin Europian shkohet me meritë, bazuar në performancën tonë, do të bashkëpunojmë edhe më ngushtë me miqtë dhe partnerët tanë Evropianë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët kanë treguar gjithmonë zemërgjerësi dhe mirëbesim ndaj Shqipërisë, që nga fillimi i proceseve demokratike. Ndihma dhe mbështetja e tyre janë jetike për materializimin e përgjegjësive tona”, thuhet në mesazhin e Presidentit.
Mesazhi mbyllet me optimizmin se si klasa politike, por gjithë shoqëria shqiptare ka vendosmërinë dhe maturinë për t’i shkuar deri në fund procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Europian.
Top Channel