S&P zhvlerëson BE-në

20/12/2013 00:00

Në një lëvizje befasuese, agjencia e vlerësimit të kreditimit, “Standard and Poor’s” zhvlerësoi nga AAA në AA+ Bashkimin Europian si një të tërë duke e argumentuar këtë vendim me sinjalet e rritjes së riskut të marra nga tregjet.

Por Brukseli nuk është dakort me këtë vendim dhe e sheh atë si një zhvlerësim krejtësisht politik dhe i pabazuar në realitetin e tregjeve dhe ekonomisë eurpiane në tërësi.

Komisioneri për Cështjet Ekonomike, Olli Rehn tha se pavarësisht krizës financiare dhe masave shtrënguese, të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Europian kanë përmbushur detyrimet e tyre në afat dhe sasi ndaj kreditorëve.

“Komisioni Europian nuk është dakort me vendimin e Standard & Poor’s mbi faktin se obligacionet e shteteve anëtare në bilancin total të BE-së janë vënë në dyshim. Edhe pse në një vit stresi financiar, të gjitha vendet anëtare të BE-së kanë përmbushur detyrimet e tyre brenda afateve”, tha Rehn.

“Zhvlerësimi reflekton besimin tonë se tashmë besueshmëria e kreditimit të 28 vendeve anëtare të BE-së në tërësi është dobësuar”, thotë ndër të tjera “Standard & Poor’s”.

Ndërkohë, dy agjencitë e tjera të vlerësimit, “Fitch” dhe “Moody’s” vazhdojnë të ruajnë vlerësimin AAA për BE-në.

Pavarësisht se vjen në një moment kur vendet e BE-së janë duke rimarrë veten nga kriza financiare, Unioni që prej janarit të 2012-ës ka qenë nën kërcënimin e zhvlerësimit. Që prej asaj kohe, shumë anëtare të BE-së kanë humbur vlerësimin maksimal, mes të cilave edhe Franca, ndërsa sot vetëm 6 vende ruajnë ende AAA.

Top Channel