Dalin videot e dëshmive të Bill e Hillary Clinton në Kongres për lidhjen me Epstein: E vërteta e fotos në vaskë, biseda me Donald Trump për financierin
Shtëpia e Bardhë publikoi raportin e një komisioni ekspertësh të pavarur, rreth praktikave të zbulimit amerikan, rekomandimet e të cilit me të gjithë gjasat do të shërbejnë si bazë, për reformimin e procedurave të ndjekura nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare.
Një ditë më parë, Barack Obama zhvilloi një takim me anëtarë të këtij grupi pune, për të diskutuar mbi 46 rekomandimet e bëra prej tyre, mbi mënyrat se si të ndryshohen praktikat amerikane të përgjimit.
Administrata amerikane është duke shqyrtuar aktualisht rrugët, se si t’i përdorë më së miri aftësitë e saj të grumbullimit të informacionit, në interes të sigurisë kombëtare të vendit, por pa cënuar në mënyrë të panevojshme liritë civile dhe privatësinë personale.
Ekspertët rekomandojnë mbrojtje më të mirë të lirive civile dhe një analizë të kujdesshme të pasojave të grumbullimit të informacioneve. Raporti, gjithashtu, bën thirrje për mbrojtjen e privatësisë së shtetasve jo-amerikanë.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney, deklaroi se presidenti nuk do të marrë ndonjë vendim të menjëhershëm mbi dokumentin 300-faqësh.
“Ai nuk do të bëjë gjykime të nxituara. Ai do ta shohë raportin dhe do ta vlerësojë me qetësi. Shqyrtimi nuk do të përfundojë deri në janar. Pas kësaj, presidenti do të ketë më shumë për të thënë, në lidhje me dokumentin dhe rezultatet e kësaj pune”, tha Jay Carney.
Komisioni i këshilltarëve të pavarur punoi, nën drejtimin e shefit të Zbulimit Kombëtar, për të analizuar praktikat e NSA-së, pas akuzave të ish-kontraktorit Edward Snowden, se agjencia kishte mbledhur të dhëna mbi bisedat telefonike të qytetarëve.
Carney pranoi se publikimi i informacioneve nga Snowden pati pasoja, por ai kujtoi se ishte shefi i Shtëpisë së Bardhë, që kërkoi analizimin e politikave të zbulimit, me qëllim që të kryheshin ndryshime në programin e mbikqyrjes së Shteteve të Bashkuara.
Edhe pse i mbrojti programet amerikane të përgjimit, gjatë një fjalimi në gusht, menjëherë pasi Edward Snowden publikoi disa nga dokumentet e marra nga NSA-ja, Obama premtoi transparencë më të madhe mbi mënyrat, se si këto sisteme përgjimi përdoren.
Top Channel