
Brenda 3 mujorit të parë të 2014, Komisioni do raportojë për llogaritjen e instrumenteve financiare që vendet anëtare do të përdorin për Industrinë Europiane të Mbrojtjes.
Kontratë apo ortakëri financiare, ende nuk është sqaruar, por vendet e BE-së, pa e marrë veten nga kriza, duhet të investojnë në kapacitete ushtarake për të ruajtur sigurinë, sepse SHBA-të nuk e marrin më përsipër këtë kosto.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s jo vetëm që mori pjesë në tryezën për çështjet e mbrojtjes, sigurisë dhe financimit të mbrojtjes të samitit europian, por mbajti dhe konferencën e tij të parë për shtyp në sallën kryesore të Këshillit të BE-së.
“Tani është koha për të vepruar, sepse nëse ne europianët nuk e marrim seriozisht cështjen tonë të sigurisë, Amerika e Veriut do pyeste me të drejtë, atëherë pse ta bëjë ajo? Po të mos riangazhohemi ne ndaj mbrojtjes tonë, rrezikojmë të shohim një Amerikë që çangazhohet, e pastaj Europa dhe Amerika ecin në drejtime të ndryshme. Këtë nuk e do asnjë prej nesh. Askush nuk përfiton nga kjo, as ne vetë dhe as pjesa tjetër e botës”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rassmussen.
“Me gati 1.5 milionë vende pune dhe një xhiro prej 96 miliard euro, ky sektor është shumë i rëndësishëm për ekonominë europiane. Mbrojtja ka rëndësi. E kjo është së pari një detyrë për vendet anëtare të BE-së, por Komisioni Europian mund të ndihmojë brenda kompetencave të veta. Ne paraqitëm propozime për forcimin e tregut të brendshëm dhe konkurrencës së industrisë tonë të mbrojtjes”, deklaroi nga ana tij, Jose Manuel Barroso, President i KE.
“Pjesërisht ka të bëjë me investimin e racionalizuar në mënyrë që vendet anëtare të kenë teknologji për shkurtimet e mbrojtjes si gjenerata e radhës e mjeteve ajrore, avionëve të pilotuar në distancë, apo gjenerata e re e komunikimeve satelitore. Morëm vendime për këto të dyja, si dhe për furnizimin në ajër dhe për mjetet që do të kthenin më mirë goditjen ndaj krimit kompjuterik”, tha Presidenti i BE-së, Herman van Rompuy.
Krerët e 28 shteteve anëtare të BE-së folën gjatë darkës edhe për plotësimin e Unionit Bankar, që për Komisionin mund të realizohet përpara mbajtjes së zgjedhjeve europiane.
Përgatiti Arta Tozaj
Top Channel