
Pas konsensusit të së martës për të shqyrtuar në qershor kandidaturën e Shqipërisë, shtetet anëtare të BE-së vlerësojnë tashmë ngjashëm publikisht se vendi nuk ishte gati për këtë hap, sikundër argumentonin më herët 5 vendet hezituese.
“Qasja jonë është që të afrojmë të gjithë sipas kushteve individuale, sepse gjithësecili ka nivele të ndryshme kriteresh e zhvillimi. Mendoj se porta duhet mbajtur hapur, por nga ana tjetër vendet duhet të përmbushin kushtet elementare si sundimi i ligjit dhe mbrojtja e investimeve, do të shtoja unë. Kam frikë se në rastin e Shqipërisë nuk ka qënë ky rasti gjatë periudhës së fundit. Në këtë kuadër, unë e kuptoj qasjen e disa vendeve anëtare për të shtyrë vendimin përfundimtar për statusin kandidat të Shqipërisë”, ka deklaruar Jiri Rusnok, kryeministër i Çekisë.
TCH: A druheni se kjo mund të sjellë rënie të entuziazmit për reformat europiane në vend dhe mund të ndikojnë zgjedhjet europiane?
Rusnok: “Kjo është pyetje shumë e vështirë për mua pasi nuk jam shumë i përfshirë me realitetin shqipëtar tani”.
TCH: Por jeni me zgjedhjet europiane…
Rusnok: “Me zgjedhjet europiane përgjithësisht po. Nuk e di, por unë mendoj se Shqipëria duhet të bëjë ende disa hapa domethënës për t’u bërë gati për statusin kandidat”.
“Janë bërë hapa të mëdha por Shqipëria nuk është ende e gatshme për anëtarësim në Bashkimin Europian. Në letër, kriteret e nevojshme janë arritur, por këto duhen provuar plotësisht edhe në praktikë. Holanda nuk është për kandidaturën dhe hapjen e negociatave tani me të”, ka thënë ndërkohë Mark Rutte, kryeministër i Holandës.
Ndërsa Vesna Pusniç, zv.kryeministre e Kroacisë është shprehur: “Kroacia ishte mbështetëse e fortë për statusin kandidat të Shqipërisë, sepse ne mendojmë që Shqipëria jo vetëm ka përmirësuar legjislacionin, por këtë e ka dëshmuar dhe me zbatim, duke bërë përparim të rëndësishëm për t’u pozicionuar për marrjen e statusit kandidat. Për këtë pati një mbështetje thelbësore më duhet të them, megjtihëse kishte dhe disa rezerva. Por, në frymën e kompromisit, Kroacia tashmë mbështet vendimin e Këshillit që Shqipërisë t’i jepet statusi kandidat gjatë gjysmës së parë të vitit të ardhshëm, sigurisht me kushtin që të të jenë plotësuar të gjitha kriteret”.
“Estonia mbështet zgjerimin e mëtejshëm të Bashkimit Europian. Nëse Bashkimi Europian ishte një histori suksesi për Estoninë, përse të mos jetë edhe për Shqipërinë. Zgjerimi i BEsë është një çështje kriteresh. Nëse kandidatët i përmbushin kushtet, atëherë ata do të mirëpriteshin në Union, kështu që mirë se të vini në Bashkimin Europian”, ka vlerësuar ndërkohë Andrus Ansip, kryeministër i Estonisë.
TCH: Po, por ne nuk u mirëpritëm këtë dhjetor dhe në 6 muajt e ardhshëm mbahen zgjedhjet europiane, vëmendja mund të mos jetë më e njëjtë për zgjerimin?
Ansip: “20 vjet më parë, ne e bëmë zgjedhjen tonë në Estoni, e kjo ishte për integrimin në Bashkimin Europian. E kishim një synim të qartë ndaj dhe bëmë reforma strukturore të dhimbshme për vendin tonë. Por sot themi se ishte vendimi i duhur me të vërtetë. Ne nuk luajtëm me Brukselin. Nuk thamë s’na pëlqejnë këto reforma strukturore por do t’i bëjmë. Gjithçka ne bëmë, e bëmë për veten tonë dhe sot Estonia renditet mes vendeve me model të mirë ekonomik, financat e shtetit janë në gjëndje të mirë. Ishte vendim i duhur dhe i drejtë për t’i kryer ato reforma e për t’ju bashkuar Unionit. Ju duhet të tregoni durim. Një ditë do të jemi gjithsesi sëbashku në Bashkimin Europian”.
Samiti Europian i krerëve të shteteve dhe qeverive të BEsë konfirmoi konkluzionet e Këshillit të Ministrave për paketën e zgjerimit, përfshirë rishqyrtimin e kandidaturës së Shqipërisë në verë, në bazë të vlerësimit të pranverës nga Komisioni. Ky ishte takimi i fundit nën drejtimin e Lituanisë. Pas pushimeve dimërore, Greqia udhëheq punën e BE-së për 6 muajt e ardhshëm.
Përgatiti: Arta Tozaj
Top Channel