Obama: 2013? E dreqosëm me “Obamacare”

20/12/2013 23:50

Pretendimeve se 2013-ta ka qenë viti më i keq i qeverisjes së tij, Barack Obama iu përgjigj me një buzëqeshje, me ngritjen e zërit të zemërimit ndaj ngërçit politik, që shkaktuan argumentet e emigracionit dhe kontrolit të armëve, por edhe me bindjen e një revanshi ekonomik.

“Nëse kaloj në revistë vitin që po lëmë pas, ka fusha ku sigurisht ka pasur vështirësi dhe ku do të kisha dashur që Kongresi të vepronte më me agresivitet. Vazhdoj të ndaj bindjen se mosmiratimi i kontrolleve të rrepta, pas masakrës së Newtown-it, ishte një gabim. Shumë prej iniciativave tona legjislative në Kongres nuk kanë lëvizur aq shpejt, sa unë do të kisha dashur. E kuptoj plotësisht një gjë të tillë. Do të thotë që do të vazhdoj të përpiqem”, u shpreh Obama.

Pati dhe një rrëfim. Gazetarët i kërkuan t’i vinte emrin gabimit më të madh të vitit, e ai foli për problemet e zbatimit të reformës shëndetësore. “Meqenëse drejtimin e këtij vendi e kam unë, atëherë duhet të them se e dreqosëm”, u shpreh ai.

Presidenti demokrat po e mbyll vitin e pestë në krye të Shtëpisë së Bardhë, me nivelin më të ulët të popullaritetit që ka shënuar ndonjëherë.

Gjatë 2013-s, Presidenca e tij kaloi nëpër mbylljen e pjesshme të qeverisë, dështimin e faqes së internetit kushtuar ligjit të shëndetësisë dhe rrjedhjen e sikletshme të informacioneve të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare.

Megjithatë, Obama e bëri të qartë, gjatë konferencës për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, se dëshironte ta vinte theksin tek arritjet e kësaj periudhe, duke theksuar sidomos përmirësimin e të dhënave ekonomike, e duke deklaruar se 2014-ta do të jetë një vit fitimtar për ekonominë e vendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA