Video/ Pamje tronditëse nga Gjiri i Atlantikut, “Uragani i shekullit” përfshin Xhamajkën, raportohet për viktima
Eduard Snouden po këkon azil politik në Brazil. Më 17 dhjetor, ish-spiuni i CIA-s u adresoi një letër të hapur të gjithë brazilianëve ku i njihte ata me “objektivin e vërtetë të programit të spiunimit amerikan”.
Sipas tij, programi i përgjimeve nuk bëhej kurrë për identifikimin dhe parandalimin e akteve terroriste dhe se objektivi i tij ishte tjetër gjë.
“Programi nuk ishte asnjëherë për terrorizmin. Kishte të bënte me spiunazhin për cështjet ekonomike, sociale dhe manipulimit diplomatik. Të gjitha këto janë për të ruajtur pushtetin”, thuhej në letrën e Snouden, botuar gjithashtu edhe nga agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Kjo deklaratë e tij është në të njëjtën linjë me pretendimet e disa politikanëve brenda dhe jashtë Shteteve të Bashkuara të cilët thonë se programi i përgjimit ishte vegël e koorporatave të fuqishme amerikane të cilat me anë të tij siguronin të dhëna mbi patentat, konkurrencën, financat, kërkimet shkencore dhe të tjera të dhëna mbi tregjet që i ndihmonin për të ruajtur dhe për të zgjeruar kontrollin e tyre në tregjet ndërkombëtare.
“Der Spiegel” në Gjermani referuar të dhënave të siguruara nga ish-agjenti amerikan shkruan se Agjencia Kombëtare e Sigurisë, NSA me anë të një programi të quajtur “FTM” (Follow the Money) siguroi të dhëna për 84 përqind të transaksioneve bankare nëpërmjet kartave të kreditit vetëm në vitin 2011.
Ndërkohë, të enjten Shtëpia e Bardhë publikoi raportin e një komisioni ekspertësh të pavarur, rreth praktikave të zbulimit amerikan, rekomandimet e të cilit me të gjithë gjasat do të shërbejnë si bazë, për reformimin e procedurave të ndjekura nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare.
Një ditë më parë, Barack Obama zhvilloi një takim me anëtarë të këtij grupi pune, për të diskutuar mbi 46 rekomandimet e bëra prej tyre, mbi mënyrat se si të ndryshohen praktikat amerikane të përgjimit.
Administrata amerikane është duke shqyrtuar aktualisht rrugët, se si t’i përdorë më së miri aftësitë e saj të grumbullimit të informacionit, në interes të sigurisë kombëtare të vendit, por pa cënuar në mënyrë të panevojshme liritë civile dhe privatësinë personale.
Ekspertët rekomandojnë mbrojtje më të mirë të lirive civile dhe një analizë të kujdesshme të pasojave të grumbullimit të informacioneve. Raporti, gjithashtu, bën thirrje për mbrojtjen e privatësisë së shtetasve jo-amerikanë.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney, deklaroi se presidenti nuk do të marrë ndonjë vendim të menjëhershëm mbi dokumentin 300-faqësh.
Top Channel