Akuzat për krime lufte “prekin” edhe kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi. Misioni i Bashkimit Europian, EULEX nga salla e Kuvendit solli në Prokurorinë Speciale ish-zëdhënësin e UÇK-së për ta intervistuar në lidhje me krimet e luftes.

Për rreth dy orë, zoti Krasniqi është është marrë në pyetje nga hetues të këtij misioni. Pas perfundimit të intervistimit, Krasniqi nuk ka dashur të flasë para mediave dhe është larguar nga prokuroria me automjetin e tij zyrtar, i shoqëruar nga disa persona të stafit të tij dhe avokati Mexhit Syla.

Mbrojtësi i Krasniqit nuk ka dhënë detaje se për çfare është marrë në pyetje kryetari i Kuvendit, por vetëm ka deklaruar se klienti i tij është intervistuar në cilësine e të dyshuarit që ka të bëjë me Grupin e Drenicës.

“Pati një intervistë të shkurtër, u dhanë disa sqarime rreth rastit që po hetohet në Mitrovicë. Klienti im ishte në cilësinë e të dyshuarit, për të nuk ka një vendim gjykate”, ka thënë Syla.

Ndërkohë, zedhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi ka thënë për Top Channel se lidhur me këtë çështje Prokuroria Speciale nuk ka asnjë koment.

“Pyetja ime e drejtuar në prokurori lidhur me kërkesën tuaj për këtë informacion ka marrë një përgjigje. Përgjigjia e prokurorisë është kjo: ‘Nuk kemi koment’”, ka thënë zëdhënësi nëpërmjet telefonit.

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi në kohën e luftës ishte zëdhënës i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe sipas pohimeve të para do të përfshihet në aktakuzën që tashmë është ngritur për Sylejman Selimin, Ismet Haxhën, Nexhat Çubrelin dhe Shefki Hysenin, të njohur ndryshe si Grupi i Drenicës.

Ndaj kësaj ngjarjeje ka reaguar ministrja e Integrimit, Vlora Çitaku, e cila nëpërmjet rrjetit social Facebook i ka quajtur “tendencioze dhe pa shije” veprimet e EULEX-it ndaj ish-pjestarëve të UÇK-së.

Top Channel