" /> ">

Korea e Veriut kërcënon jugun me luftë

20/12/2013 15:20

Korea e Veriut i dërgoi autoriteteve të Koresë së Jugut një paralajmërim zyrtar ditën e premte, në të cilin shkruhej se “Peniani po përgatitet për një sulm të pamëshirshëm dhe të paparalajmëruar ndaj “regjimit kukull” të Seulit”.

Reagimi i shtetit diktatorial mbërriti pas disa manifestimesh që ndodhën në disa qytete kryesore në jug, në ditën në të cilën përtej kufirit realizoheshin ceremoni të mëdha përkujtimore në 2-vjetorin e ndarjes nga jeta të liderit të mëparshëm, Kim Jong-il.

Në mesazhin e mbërritur në Ministrinë e Jashtme të Koresë së Jugut nëpërmjet një faksi, Korea e Veriut theksoi gjithashtu se “është e vendosur për të mos toleruar asnjë provokim ndaj dinjitetit të saj”.

Manifestime në të cilat lëshohen sllogane anti-diktatoriale, ku digjet flamuri i Koresë së Veriut dhe ironizohen liderat e saj janë të zakonshme në Korenë e Jugut, në çdo rast kur në pjesën veriore kremtohen festa kombëtare.

Ministria e Mbrojtjes se Koresë së Jugut ishte ajo që iu përgjigj brenda disa orëve me një mesazh autoriteteve të Penianit.

“Përgjigja u dërgua prej nesh nëpërmjet një faksi. Në dokument bëmë të qartë që nëse Korea e Veriut do të angazhohet në veprime luftarake kundër nesh, atëherë do të jemë të gatshëm të përgjigjemi në të njëjtën mënyrë”, tha Kim Min-seok, zëdhënësi i mbrojtjes.

Rikthimi i tensionit midis dy Koreve përbën një ngjarje shqetësuese, pas gjatë 2012-s të dy vendet iu afruan një konflikti të armatosur si rrjedhojë e lëshimit të një rakete në hapësirë dhe testit të paautorizuar bërthamor të shtetit komunist, që motivoi vendosjen e sanksioneve të ashpra ekonomike ndaj Penianit.

Lufta e viteve 1950-53 midis dy shteteve përfundoi me një armëpushim, por pa një paqe, ndaj të dy Koretë janë ende teknikisht në luftë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA