Juve pranë marrëveshjes me Menez

20/12/2013 00:00

Pavarësisht deklaratave të drejtuesve bardhezinj se në merkaton e janarit nuk do të ketë blerje, ose të paktën nuk do të ketë një nga ato që quhen goditje të mëdha, mediat franceze quajnë një fakt të kryer rikthimin e Jeremy Menez në Serinë A.

“L’Equipe”  flet për një marrëveshje të arritur mes 26-vjeçarit dhe Juventusit, ndërsa mbetet për t’u bindur vetëm PSG. Por duke patur parasysh faktin që në qershor mesfushorit avancues i skadon kontrata me PSG dhe sinjalet për rinovimin e saj nuk ka, kjo nuk shihet si pengesë.

E njëjta gazetë shkruan se Lorent Blanc është gati ta lërë të lirë futbollistin që në janar, duke qenë se hapësirat për të në skuadër kanë qenë thuajse zero që kur ai ka marrë drejtimin e skuadrës kryeqytetase.

Në fakt bardhezinjtë prej muajsh kanë nisur punën në këtë pistë. Lojtari pëlqehet shumë nga trajneri Conte si për cilësitë por edhe për përvojën e tij, duke qenë një lojtar që ka luajtur në ndeshje ndërkombëtare me kombëtaren, por edhe në Serinë A me Romën, ndaj cështje e ambientimit nuk përbën problem.

Nëse Menez mbërrin në Torino, trajneri i bardhezinjëve do të ketë një alternativë më shumë për se sa dyshja Tevez-Llorente në sulm, por vec kësaj edhe trekuartistin që mund të shfrytëzojë për rikthimin tek ‘dashuria e tij e vjetër’, skema 4-2-4, e braktisur prej tij për shkak të mungesë së lojtarëve me tipare mesfushore avancuese.

Megjithatë, për momentin asgjë nuk është zyrtare dhe për këtë duhet pritur janari, ndoshta dhe qershori, por edhe lëvizjet e Interit të Thohir, gjithashtu i interesuar për lojtarin.

Top Channel