F1, Alonso: Kam zgjedhur numrin 14

20/12/2013 00:00

“Kam zgjedhur numrin 14 sepse me atë numër kam fituar kampionatin Botëror të karting. Isha 14 vjeç dhe atë ditë data ishte 14.”

Kështu, Fernando Alonso ka zbuluar numrin që do të mbajë në makinën e tij Ferrari në Botërorin e Formulës 1, duke shpjeguar edhe arsyen. FIA vendosi këtë muaj që pilotët do të mund të zgjedhin numrin e preferuar dhe do e mbajnë atë gjatë gjithë karrierës në njëvendëshen e tyre. Numrat e disponueshëm janë nga 2 deri tek 99, ndërsa numri 1 është i rezervuar vetëm për kampionin në fuqi.

Në një event mbi sigurinë rrugore në Spanjë, Alonso deklaroi gjithashtu se ka besim që sezoni i ardhshëm do të jetë më i mirë për të dhe skuderinë italiane: “E di që ka shumë pilotë që do të donin të pilotonin për Red Bullin, por me ndryshimin e rregullave gjërat janë barazuar dhe unë jam i bindur që kam zgjedhur të qëndroj aty ku duhet.”

Kur u pyet se kë preferonte më shumë mes Vettelit dhe Hamiltonit, Alonso u shmang duke thënë: “Shkoj mirë me të dy.”

Mbi shokun e tij të ri të skuadrës, Kimi Raikkonen, spanjolli tha: “Kam shumë dëshirë të nis punën bashkë me të pasi ai ka një talent të jashtëzakonshëm dhe është kampioni i fundit me Ferrarin. Do të plotësojmë njëri-tjetrin.”

Top Channel