Arsenali sirian në Britaninë e Madhe

20/12/2013 22:55

Një vend europian, i palakuar deri më tani në sagën e armëve kimike të Sirisë, ka pranuar të shkatërrojë pjesërisht arsenalin e Bashar al-Assad, të kthyer në një barrë për Shtetet e Bashkuara.

Duke cituar zyrtarë britanikë, “Los Angeles Times” dhe CNN thonë se Londra ka marrë përsipër asgjësimin e 165 ton substancash, që mund të përdoren në prodhimin e agjentëve nervorë tepër toksikë.

Kimikatet do të dërgohen në Britani përmes kontenierëve të mbyllur e të siguruar mirë; më pas do të transferohen në një uzinë, ku edhe do të digjen.

Në vetvete, elementët e njohur si  “prekursorë B” nuk janë dhe aq të rrezikshëm, pohojnë zyrtarët në fjalë. Por, të kombinuara me substanca të tjera specifike, apo “prekursorë A”, krijojnë agjentë nervorë helmues.

Për të shmangur incidentet, dy llojet e kimikateve po zhvendosen nga Siria të ndara nga njëra-tjetra, ashtu siç do të ndodhë edhe shkatërrimi.

Që kur Bashar al-Assad pranoi marrëveshjen e ndërmjetësuar në muajin shtator nga Uashingtoni dhe Moska, për të hequr dorë nga arsenali i tij deri në mes të vitit që vjen, gjetja e vendeve të gatshme për të pranuar e neutralizuar pjesë të këtyre rezervave është provuar një detyrë e vështirë.

Disa prej substancave më të rrezikshme do të shkatërrohen nga Shtetet e Bashkuara në det, sepse u konsiderua tepër delikat importi i tyre nga ndonjë vend tjetër.

Kina u zotua këtë javë të vërë në dispozicion një luftanije, e cila të ndihmojë mbrojtjen e anijes amerikane të ngarkuar me asgjësimin e kimikateve.

Britania do të dërgojë gjithashtu një anije të sajën, si mbështetje për mjetet daneze dhe norvegjeze të lundrimit, që do të largojnë rezervat kimike nga Siria.

Në një deklaratë të qeverisë britanike, thuhet se misioni ndërkombëtar për shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë është thelbësor në arritjen e garancive, se Assad nuk do të përdorë më kurrë armë të tilla të tmerrshme kundër popullit të tij.

Top Channel