Vendimi i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian për t’i dhënë Serbisë datën e fillimit të negociatave nxiti reagimin e ashpër të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Ishin deptuetët nga radhët e Vetëvendosjes të cilët akuzuan qeverinë Thaçi se me procesin e bisedimeve po e afron Serbinë me BE-në dhe Kosovën me Serbinë, diçka që siç thanë ata e kanë paralajmëruar që në fillim të bisedimeve.

E ndërsa nënkryetari i Kuvendit Glauk Konjufca kërkoi ndërprejen e bisedimeve, Rexhep Selimi kritikoi edhe kolegët deputetë për votën pro këtij procesi, si dhe Bashkimin Europian për mbivlerësimin e Serbisë.

“Ju deputetë, nga cilido grup parlamentar, që i keni mbështetur këto bisedime, jeni ata që falë mbështetjes tuaj Thaçi negocioi me Daçiç dhe falë këtyre negociatave afroi Serbinë me BE-në. BE ka mbivlerësuar Serbinë në bazë të bisedimeve me Kosovën, në një kohë kur ajo mban barrën për krimet më të rënda kundër njerëzimit dhe genocidit ndaj Kosovës”, deklaroi Selimi.

Deputetët kosovarë shtynë për një seancë tjetër debatin për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, me arsyetimin se nuk kanë pasur material të nevojshëm nga qeveria për debat. Deputetët kthyen prapa edhe dy dokumente të qeverisë, planin e veprimit për cilësinë e ajrit 2013-2017, si dhe raportin e performancës së ndërmarrjeve publike.

“Kemi një përkeqësim në cilësinë e fitimeve, si në rastin e KEK-ut që ka humbje. Edhe tek PTK kemi rënie të fitimeve nga rënia e hyrjeve krahasuar me shpenzimet”, deklaroi Lutfi Zharku nga LDK. “Komisioni ka kërkuar që të miratohet strategjia ndërsa plani i veprimit t’i kthehet për ripunim qeverisë”, tha më pas Nait Hasani nga radhët e PDK-së.

Pavarësisht vërejtjeve, Kuvendi miratoi strategjinë për cilësinë e ajirt 2013-2022. Deputetet e opozitës shprehen shqetësimet e tyre për ndotësit e mëdhenj siç janë termocentralet dhe kërkuan zgjidhje sa i përket termocentralit Kosova A.

Deputeti i Vetëvendosjes, Liburn Aliu kritikoi përmbajtjen e strategjisë, për të cilën tha se nuk janë marrë parasysh qëndrimet e qytetarëve por vetëm të një kompanie industriale.

Sipas Aliut, në strategji mungojnë të dhënat për gjendjen e cilësisë së ajrit si dhe nuk ka pikë reference se si dhe sa do të përmirësohet cilësia e ajrit. Gjatë debatit për cilësinë e ajrit në seancë nuk ishte i pranishëm ministri i Ambjentit.

Top Channel