Sonte ceremonia e 98-të e Oscars/ Maratonë speciale në Top Channel dhe Top Albania Radio me Blendi Salaj e shumë të ftuar
Kur thuhet Siberi të gjithë na kapin “ethet” dhe imagjinojmë një vend të mbuluar nga dëbora dhe akujt, pa jetë ku temperaturat zbresin nën zero në numra dy-shifrorë.
Por jo. Kur jemi në dhjetor, në Siberi nuk ka rënë asnjë flok dëbore dhe kjo ka bërë që shumë meteorologë të ngrenë pyetjen; cfarë po ndodh?
Raportimet e “Siberian Times” dhe imazhet e përcjella prej saj në internet flasin për një ‘pranverë’ të pazakontë në lindjen e largët ruse. Në qytetin e Krasnoyarsk-ut dëborë nuk ka rënë prej muajsh, madje edhe ajo ‘e vjetra’ që kishte zënë shtresë tashmë është duke u shkrirë thuajse totalisht.
Bimët po celin sërish dhe ujërat e liqeneve dhe të lumenjve janë më shumë se të lëngshëm. Ndryshe nga vitet e tjera kur mbizotëronte akulli, këtë dhjetor në ujërat e qytetit të Krasnoyarsk-ut sheh rosa dhe pata.
“Nuk mbaj mend në jetën time një dhjetor kaq të ngrohtë dhe pa dëborë. Në dhjetorin e vitit 1963 vërtet nuk pati dëborë, por temperaturat shënonin deri në -24 gradë celcius dhe gjithcka ishte e akullt. Kjo është hera e parë në jetën time që përballem me një situatë të tillë”, thotë Fyodor Olifirenko, 83 vjeç banor vendas.
Aktualisht temperaturat në këtë qytet të largët të Siberisë shënojnë -3 gradë celcius, ndërkohë që minimalja historike e regjistruar në këtë rajon është -47 gradë celcius.
Top Channel