Merkato, Juve në vendnumëro, Milan synon Pirlo-n

19/12/2013 00:00

Më 3 janar merkato dimërore hapet zyrtarisht, por klubet e Serisë A kanë nisur punën prej javësh për t’u përforcuar me emrat që qarkullojnë.

Juventusi. Eleminimi nga Liga e Kampioneve ka ndryshuar planet tek bardhezinjtë, të cilët pritet të qëndrojnë në vendnumëro gjatë kësaj merkatoje, madje ndoshta edhe duke u dobësuar me heqjen dorë nga Vucinic për të cilin ka disa klube të interesuara, brenda dhe jashtë Italisë.

Milani. Kuqezinjtë ndoshta do të jenë më aktivët në këtë merkato me synim përforcimin dhe ngjitjen e shkallëve në tabelën e klasifikimit për kapjen e vendit të tretë që do t’i mundësonte luajtjen në Ligën e Kampioneve sezonin e ardhshë. Pas zyrtarizimit të Rami dhe Hondas synohen dy emra të tjerë, Niangolan i Kaljarit dhe Hernanes i Lacios. Por surprizë më e madhe mund të ishte rikthimi i Pirlos. Sipas mediave italiane, Galliani ka patur një takim me fantazistin e bardhezinjëve dhe agjentin e tij. Përpjekjet për ta marrë atë që në janar ndoshta do të bllokohen nga Juventusi, por qershori, kur mesfushorit të kombëtares italiane i skadon kontrata me bardhezinjtë, nuk është larg.

Interi. Politika e Thohir në krye të zikaltërve është e qartë, të shesim që të blejmë. Nga ana e tij Mazzarri ka paraqitur kërkesën e tij, një sulmues pykë. Vetëm Palacio s’mjafton për gjithë sezonin. Nën këto udhëzime, Branca dhe Ausilio po punojnë në pistën Lavezzi, që është ftohur me drejtuesit e PSG-së në Francë. Operacioni shihet i mundshëm për t’u realizuar brenda janarit, por me disa sakrifica dhe emrat më të përfolur për t’u sakrifikuar janë Guarin dhe Ranocchia. Duket se fati i të parit është përcaktuar. E ardhmja e tij do të jetë tek Chelsea i Mourinho-s, ndërsa për mbrojtësin priten ofertat. Boshllëqet e lëna nga këta dy lojtarë do të mbushen me afrimin e Granit Xhakës dhe Schar, i pari për të zëvendësuar Guarin dhe i dyti në vend të Ranocchia-s. Edhe Milito mund të largohet që në janar, destinancionet janë dy, Spanja ose ndonjë klub tjetër në Itali.

Napoli. Benitez kërkon të tjera përforcime, presidenti De Laurentis beson tek titulli dhe është i gatshëm t’ia ofrojë ato. Drejtori sportiv, Bigon ka hedhur sytë nga Spanja. Emri i përfolur është ai i Alex Song, thuajse i paaktivizuar fare nga Tata Martino tek Barcelona. Mision i vështirë, por jo i pamundur. Një tjetër objektiv është edhe belgu Vermaelen i Arsenalit, edhe ky i harruar në stol nga Venger gjatë këtij sezoni të “The Gunners”. Në krah janë siguruar shërbimet e Antonelli-t të Xhenoas, ndërsa sa për largimit, napolitanët mund të sakrifikojnë Armero-n për një shumë të majme që mund të mbërrijë nga Anglia ose Spanja.

Roma.
Verdhekuqtë bënë një nisje mbresëlënëse të sezonit, por aktualisht, edhe pse nuk kanë provuar ende shijen e humbjes, ndodhen në vendin e dytë, -5 pikë nga Juventusi. Për të vazhduar konkurencën dhe për të shpresuar dhe besuar tek titulli, Rudi Garcia kërkon një mesfushor ofensiv dhe objektiv është Pastore i PSG-së. Sheikët e skuadrës franceze vështirë të heqin dorë nga kartoni i tij, por mësohet se oferta e Parolo-s është për një huazim. Një marrëveshje mund të arrihet, gjithmonë nëse nga Chelsea do të mbërrinte Mata, që pëlqehet nga trajneri Blank.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta