Rusia i ka kërkuar Malit të Zi që të vendosë një bazë ushtarake pranë Tivarit, informoi ditën e enjte e përditshmja malazeze “Vijesti”.

Megjithatë, sipas burimit të së përditshmes, të vetëdijshëm që vendosja e një baze të tillë do të godiste përfundimisht shpresat e Podgoricës për t’u anëtarësuar në NATO, qeveritarët malazezë e kanë refuzuar prerazi këtë ofertë.

Aktualisht, Moska është duke u përpjekur të sigurojë një vend për të ngritur një bazë mbështetje logjistike për flotën e saj të Mesdheut.

Nisma e qeverisë ruse është ndërmarrë me urdhër të vetë presidentit Putin, i shqetësuar nga mundësia që baza aktuale e Tartusit, në Siri, mund të mos jetë më e disponueshme në një të ardhme të afërt, si rrjedhojë e zhvillimeve politike që po ndodhin gjatë luftës civile në këtë vend.

Për arsye strategjike, Tivari ishte identifikuar prej Rusisë si vendi ideal për të krijuar këtë bazë të re ushtarake dhe duket se qeverisë së fqinjit tonë veriperëndimor i kishte mbërritur një ofertë konkrete, ndonëse me një tentativë të dukshme diplomatike për të mbajtur këto bisedime jashtë vemendjes publike.

Përveç ndarjes përfundimtare me NATO-n, vendosja e një baze të tillë në territorin malazez, sipas “Vijesti”-t, mund të shndërronte vendin edhe në objekt sanksionesh ndërkombëtare, për shkak se kërkesa ruse u konsiderua si në kundërshtim me disa nene të ligjit ndërkombëtar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA