Ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson është deklaruar pro vazhdimit të vendeve të rezervuara për serbët në Kuvendin e Kosovës edhe për një mandat.

“Mendimi im është se do të kishte kuptim që të vazhdohej me ulëset e rezervuara për mandatin e ardhshëm, por unë nuk kam votë në Kuvendin e Kosovës, kështu që kjo u takon autoriteteve të Kosovës që të vendosin”, ka thënë Jacobson.

Vazhdimi ose jo i vendeve të rezervuara është një çështje e cila është ngritur për diskutim në kuadër të reformës zgjedhore në Kosovë. LDK-ja dhe Vetëvendosje, por edhe kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi e kanë kundërshtuar një ide të tillë, duke e vlerësuar si jodemokratike.

Sidoqoftë, vazhdimi i vendeve të rezervuara për serbët kërkon ndryshime kushtetuese, pasi me Kushtetuen aktuale serbët kanë të drejtë për vende të rezervuara vetëm në dy mandatet e para pas shpalljes së pavarësisë.

Të paktën 25 deputetë të pakicave kanë kërkuar ndryshimet kushtetuese, me qëllim rikthimin e nenit për kthimin e vendeve të rezervuara në Kuvendin e Kosovës.

Top Channel