Agjencia Nacionale e Trafikut Ajror që prej muajit janar të vitit të ardhshëm do të ndryshojë emërtimin në “Albcontrol”.
Struktura e kësaj agjencie nuk do të ndryshojë, ndërsa do të qëndrojë në varësi të Ministrisë së Ekonomisë.

Belinda Balluku, Drejtoresha e Përgjithshme e kësaj agjencie kombëtare, theksoi se “Albcontrol” do të synojë rritje të mëtejshme të cilësisë së shërbimit për kompanitë ajrorë dhe qytetarëve.

“Synimi jonë, të gjitha burimet tona, ato njerëzore dhe financiare, asetet e kompanisë janë absolutisht aty për të rritur të ardhurat dhe kalimet në Shqipëri. Për të ndihmuar turizmin dhe për të rritur imazhin e vendit tonë duke ofruar në kushtet e cilësisë së lartë dhe parrezikshmërisë lundrimin ajror në Shqipëri”, tha Balluku.

Ministri i Transportit, Edmond Haxhinasto vuri në dukje nevojën e ndërtimit të një aeroporti në jug të vendit, për të cilin tha që në të ardhmen do të merren hapa konkretë për financimin e tij. Kjo sipas, ministrit, do të sillte hapa të mëtejshme në hapjen e vendit ndaj turistëve të huaj dhe rritje të vazhdueshme në fushën e turizmit.

“Kemi filluar një proces bisedimesh dhe negocimi për të shtuar infrastrukturën aeroportuale në Shqipëri, me qëllim që sektori i transportit ajror, ashtu si sektori i transportit në përgjithësi, të mos jetë vetëm një gjenerues të ardhurash në vetvete, por të mbështesë fuqishëm zhvillimin dhe rritjen e të gjithë potencialeve të vendit, mes tyre edhe potencialin e madh turistik dhe këtu flas konkretisht për ndërtimin e një aeroporti të ri në jug të Shqipërisë”, deklaroi  ministri Haxhinasto.

Top Channel