
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se pas përmbylljes së procesit zgjedhor është duke zhvilluar takime me kryetarë të komunave të të gjithë spektrit politik, edhe atyre të pakicave.
Ai tha se zgjedhjet në veri kanë qenë në përputhje të plotë me ligjin dhe Kushtetutën e vendit, e cila tani do të respektohet nga kryetarët e komunave në veri dhe jug të Kosovës.
Sipas kryeministrit, me kryetarët e rinj do të ketë një intensifikim të punës pasi ata të marrin edhe zyrtarisht mandatet për kryetar.
“Është shumë me rëndësi që organizimi i zgjedhjeve edhe në veri të vendit ka shkuar plotësisht në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Mund të them se nga të gjitha takimet me kryetarët e komunave, të spektrit të ndryshëm politik por edhe etnik, shprehet gatishmëria dhe zotim i plotë që të bashkëpunohet ngushtë me qeverinë e Republikës së Kosovës. Kryetarët e rinj që janë zgjedhur, në veri dhe jug, do të respektojnë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, mbi të cilat edhe janë zgjedhur”, deklaroi Thaçi.
Gjatë mbledhjes së qeverisë, kabineti miratoi ndër të tjera edhe raportin e vlerësimit të rrezikut kombëtar kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit në Kosovë për vitin 2013.
Ky raport është hartuar nga Njësia e Inteligjencës Financiare dhe vendimi i qeverisë detyron Ministrinë e Financave që në bashkëpunim me institucionet tjera të adresojë konstatimet e vlerësimit të rrezikut kombëtar, përmes një strategjie përkatëse kundër pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe parandalimit të ekonomisë informale.
Kabineti qeveritar miratoi edhe vendimin për themelimin e Grupit Këshillëdhënës dhe Koordinues në nivelin Nacional për të drejtat e komunitetit LGBT.
Sipas vendimit, ky grup themelohet me qëllim të krijimit të një partneriteti dhe bashkëpunimi të rregullt ndërmjet institucioneve vendore, atyre ndërkombëtare dhe organizatave joqeveritare që punojnë për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komunitetit LGBT.
Ndër të tjera, kabineti miratoi edhe vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për pagesën e skemave pensionale për vitin 2013.
Top Channel