Alonso, ëndrra e hershme e McLaren

18/12/2013 00:00

Rikthimi i Fernando Alonsos tek McLaren është një ëndërr e hershme e skuderisë britanike. Vetë Ron Denis, drejtues i kësaj skuadra thotë se nuk do të bllokonte asnjëherë rikthimin e pilotit spanjoll, me të cilin nuk u nda mirë në vitin 2007.

“Objektivi i cdo skuadre është që të fitojë garat dhe përpjekjet janë për të hequr të gjitha pengesat mes dëshirës së skuadrës për të fituar dhe realizimit të fitoreve. Këto pengesa kanë të bëjnë me anën inxhinierike por edhe me atë njerëzore dhe të gjitha këto duhen zgjidhur në mënyrën më të mirë të mundshme. Ndaj është më mirë që kurrë të mos themi kurrë”, deklaroi për BBC Sport, Ron Denis.

Sipas raportimeve, padroni i McLaren, Martin Whitmarsh u përpoq të nënshkruante me pilotin spanjoll gjatë tensioneve që vetë ky i fundit pati me Ferrari-n këtë sezon. Fillimisht u përfol për një rikthim të Alonsos në vitin 2014, por më pas, për arsye që ende nuk dihen përflitet se ideja e transferimit të tij në skuderinë britanike është zhvendosur në kohë duke u lënë për në 2015-ën.

Kontrata aktuale e Alonsos me Ferrarin skadon në vitin 2016, por në shtator, piloti spanjoll i pyetur për të ardhmen e tij, u përgjigj se shpreson që të vazhdojë të garojë për “Kokëkuqen”.

Megjithatë, pavarësisht këtij detaji, padroni i McLaren po përpiqet që të sigurojë shërbimet e kampionit të botës në 2005 dhe 2006 për në vitin 2015, atëherë kur skuadra e tij nis partnerizimin e ri me Honda-n.

Top Channel