Kryeministri i Kosovës, nëpërmjet rrjetit social Facebook, ka bërë të
ditur se pasditen e së hënës dhe paraditen e sotme ka zhvilluar takime
me kryetarët e rinj të komunave të dalë nga zgjedhjet lokale.

“Me disa prej tyre, para një viti, as që mund të imagjinohej se mund takoheshim, e lëre më të bashkëpunojmë. Të gjithë kryetarët janë zotuar për të punuar dhe respektuar ligjet me të cilat janë zgjedhur, ligjet e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Thaçi.

Kryeministri ka bërë të ditur se, me njërin nga kryetarët e rinj, që për herë të parë ka marrë pjesë në zgjedhjet e pushtetit lokal, ka rënë dakord që hapi i parë i bashkëpunimit midis qeverisë së Kosovës dhe komunës përkatëse të fillojë me ndërtimin e një shkolle të re.

“Si kryeministër i gjithë qytetarëve të Kosovës do t’ju ofroj bashkëpunim dhe mbështetje të gjithë kryetarëve, pa dallim partie dhe etnie”, ka shtuar Thaçi në profilin e tij në Facebook.

Më herët gjatë muajit, Thaçi u shpreh i gatshëm të takohej me kryetarët legalë të komunave në veri të Mitrovicës, të cilët u zgjodhën në zgjedhjet e fundit lokale.

Ai tha të mërkurën e kaluar se takimet me kryetarët e rinj serbë janë të domosdoshme për organizimin dhe funksionimin e komunave të reja.

Gatishmëri për takim me kryeministrin Thaçi shprehu edhe kryeatri i Listës Serbe, Kërstimir Pantiç, partia e të cilit fitoi 9 komuna në gjithë Kosovën.

Pantiç tha se, për çdo gjë që ka të bëjë për mirëqënien e qytetarëve serbë në Kosovë ishte i gatshëm të takohej me kryeministrin kosovar, megjithëse partia e tij nuk e parnon shtetësinë e Kosovës.

Top Channel