Nuk ka as status kandidat, por as kushte shtesë për Shqipërinë.
Konkluzionet e BE-së përcaktojnë se “Këshilli do të shqyrtojë” statusin kandidat për Shqipërinë në qershor 2014, në bazë të raportit të Komisionit mbi vazhdimin e zbatimit të strategjive kundër korrupsionit e reformës gjyqësore dhe legjislacionin përkatës të miratuar së fundmi, si dhe vazhdimin e tendencës për hetime proaktive dhe ndëshkime, përfshirë edhe në fushën e krimit të organizuar.
“Ne e vlerësojmë progresin thelbësor për integrimin europian të Shqipërisë. Meqenëse dhënia e statusit kandidat ndaj Shqipërisë është veç një çështje kohe, ne do t’i kthehemi kësaj çështjeje në qershor. Presim, që vendi të vijojë përpjekjet për luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit”, komentoi Linas Linkevicius, ministër i Jashtëm i Lituanisë, Presidenca aktuale e BE-së.
“Pati zhvillime thelbësore këtë vit në Shqipëri dhe Këshilli i njohu siç duhet ato: konsensusi ndërpartiak për miratimin e masave kyçe për reformën e gjyqësorit, parlamentit e administratës publike; mbajtja pa pengesa e zgjedhjeve të qershorit ishte po ashtu një hap përpara për Shqipërinë; si dhe hapat e mëtejshëm për luftën ndaj krimit të organizuar e korrupsionit. U lavdëruan posaçërisht përpjekjet e qeverisë në fushën e sundimit të ligjit dhe për ritmin e ri të reformave. Kemi një takim të caktuar për në qershor, kur unë pres, sikundër dhe teksti i miratuar që sugjeron se, për sa kohë Shqipëria vazhdon punën e mirë aktuale, do të marrë statusin kandidat. Tashmë i takon Shqipërisë, qeverisë, opozitës dhe autoriteteve në vend, që të punojnë së bashku për të ndërtuar mbi arritjet impresionuese të deritanishme”, u shpreh Stefan Fule, Komisioner për Zgjerimin.
Vetëm 23 nga 28 vendet anëtare në tërësi ndanë përshtypjet e impresionuara të Komisionerit për Zgjerim, mbi arritjet e deritanishme të Shqipërisë. Për 5 shtetet e tjera anëtare duhej më shumë kohë për t’u bindur me progresin e Shqipërisë.
“Nuk është proces automatik, nëse flasim teknikisht, është vërtet një çështje kohe”, shtoi Linas Linkevicius.
“E bëra të qartë mendimin tim dhe të Komisionit, gjatë mbledhjes së Këshillit, se Shqipëria ka dhënë rezultate dhe se vendet anëtare duhet të japin po ashtu. Do të shtoja 3 gjëra të rëndësishme ndaj asaj që tha Linas. Së pari, nuk ka kushte shtesë, e kjo ishte e rëndësishme sipas të gjitha vendeve anëtare. Së dyti, pati në fakt lavdërime e njohje për punën e bërë, e ju do t’i shihni në gjuhën e përdorur. Megjithëse një paragraf, tek ai përmblidhen përparimet e bëra nga Shqipëria. Elementi i tretë, mjaft i rëndësishëm për shumicën e vendeve anëtare, ishte parashikueshmëria, e cila i referohet Këshillit Europian të qershorit, për ta marrë vendimin bazuar në raportin, që do të përgatisë Komisioni. Unë do të shkoja përtej kësaj, sepse kam qenë në Shqipëri para pak kohësh për nisjen e dialogut të nivelit të lartë mbi prioritetet kyçe, e bisedova me të dy palët, qeverinë dhe opozitën, edhe për çështjet në fokus të vendeve anëtare, si lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe jam i impresionuar nga udhërrëfyesi i qeverisë në bashkëpunim me opozitën, si dhe përditësimet e rregullta prej tyre. Ndaj, besoj fort se, nëse ky angazhim vazhdon, atëherë ne ecim të sigurt drejt atij takimi në qershor”, deklaroi Fule.
Këshilli vendosi për nisjen e negociatave më 21 janar me Serbinë, ndërsa për Kosovën shpresohet që në pranverë të mbyllen bisedimet për MSA-në. Mali i Zi vijon negociatat e anëtarësimit të mërkurën, me dy kapitujt e drejtësise dhe çështjet e brendshme. Ndërsa Maqedonia nuk avancon, megjithë rekomandimet e përsëritura të Komisionit, pa zgjidhur çështjen e emrit me Greqinë, vend i cili merr Presidencën e Unionit për 6 muajt e ardhshëm.
Përgatiti: Arta TOZAJ
***
Shqipëria nuk mundi të marrë statusin në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian. Siç edhe mund të pritej, 5 shtete të BE; Gjermania, Franca, Britania, Holanda dhe Danimarka; propozuan qershorin e 2014-ës.
Për të mësuar më shumë, “Top-Channel” realizoi një lidhje direkte me korrespondenten tonë në Bruksel, Arta Tozajn.
Ilir Paço, “Top-Channel” – Mbledhja, me sa duket, pjesa zyrtare ka përfunduar. Çfarë ka ndodhur gjatë orëve të takimit? Çfarë nënkupton riformulimi në bazë të propozimit të pesë shteteve, që ishin edhe vendet skeptike, Britania, Holanda, Danimarka, Gjermania e Franca? Pra, çfarë i kërkohet komisionit? Kushte shtesë apo thjesht kohë?
Arta Tozaj, Bruksel – “Nuk ka status kandidat, por as kushte shtesë. BE ka shtyrë vendimin për dhënien e statusit gjatë presidencës greke që merr kryesimin e BE nga janari në qershor të vitit të ardhshëm. Mbledhja sapo ka përfunduar dhe tani po mbahet konferenca. Ministrat e BE arritën kompromis për të shtyrë kohën e rishqyrtimit të statusit dhe debati ka vazhduar për formulimin e gjuhës teknike, në rekomandimin e muajit Dhjetor. Me gjithë mbështetjen e shumicës dërrmues, 5 vende nuk kanë qenë dakord t’i jepej statusi këtë javë, siç u paralajmëruar nga “Top-Channel”.
Ilir Paço – Cili ishte qëndrimi që shtyu përfundimisht këto vende të kërkojnë një kohë tjetër për miratimin e statusit?
Arta Tozaj, Bruksel – Kërkuan më shumë kohë për të vlerësuar rezultatet dhe qëndrueshmërinë e reformave, pasi në vend ka një qeveri të re dhe pavarësisht vlerësimeve pozivite për punën e saj të deritanishme, do të duhet më shumë kohë për të parë angazhimin e saj drejt realizimit të reformave dhe përbushjes së kushteve. Për t’iu rikthyer edhe një herë çështjes së statusit, do të pritet një vlerësim i ri i Komisionit, drejt Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së.
Ilir Paço – Cili është reagimi i Komisionit Europian për shtyrjen e statusit, pasi zoti Fyle ka qenë një ndër mbështetësit e dhënies së statusit kandidat për Shqipërinë?
Arta Tozaj, Bruksel – Komisioneri për Zgjerim ishte i pari që u shpreh në “Twitter”, pak minuta përpara publikimit të vendimit zyrtar, për përspektivën e qartë të statusit për Shqipërinë në muajin qershor, por duhet patur parasysh që përveç Komisioni, është edhe Parlamenti, e përveç rezolutave e rekomandimeve, nuk janë ata që marrin vendimet, por Këshilli i BE-së, që asistohet nga këto dy institucione. Është me rëndësi të theksohet se formulimi nuk e bën procesin automatik, pavarësisht optimizmit të Komisonerit për Zgjerim. Statusi do të vlerësohet në qershor, pasi të rishihen rezultatet. Do të vlerësohet nëse Shqipëria ka bërë aq sa duhet rreth muajti mars dhe në bazë të rekomandimit, vendet anëtare do t’i rikthehen shqyrtimit drejt fundit të presidencës greke.
FOTOLAJM: Reagimi i Komisionerit te BE-se per Zgjerim, Stefan Fyle ne “Twitter”:
“Shqiperia, njihet nje progres domethenes dhe rritje e perpjekjeve nga qeveria e re. Nje perspektive e qarte per statusin kandidat ne muajin qershor”
Top Channel