Shfaqet në publik bashkëshortja e Kim Jong-un

17/12/2013 00:00

Koreano-veriorët përkujtuan 2-vjetorin e vdekjes së Kim Jong-il, babai i diktatorit aktual, Kim Jong-un, i cili ndërroi jetë dhjetorin e 2011-ës.

Ky përvjetor mbërrin në një kohë kur nga vendi më i izoluar i botës raportohen spastrime në radhët e udhëheqësve më të lartë prej Kim Jong-un. Vetëm pak ditë më parë, ai ekzekutoi me akuzën e korrupsionit burrin e hallës së tij, njeriu që shihej si krahu i djathtë i tij, që pas marrjes së pushtetit.

Ky ekzekutim përvec frikës për rritjen e tensioneve në rajon, ngjalli panik edhe për fatin e bashkëshortes së Kim Jong-un, Ri Sol-Ju, e cila prej javësh nuk ishte shfaqur në asnjë dalje publike.

Por përvjetori ishte një rast i mirë për të dalë në krah të bashkëshortit të saj. Cifti vizitoi Pallatin e Udhëheqësve ku prehen trupat e Kim Il Sung dhe Kim Jong-il, babai dhe gjyshi i Kim Jong-un. Në pamjet e transmetuara nga televizioni shtetëror ata shfaqen të shoqëruar nga një grup gjeneralësh dhe drejtuesisht të tjerë të lartë të regjimit.

Ndërkohë, televizioni shtetëror përshkroi si “pozitiv reagimin e liderit pas lajmit se industria e peshkimit për këtë vit kishte pësuar rritje të madhe”.

Top Channel