
Shpend Ahmeti duket se do ta nisë punën e tij si kryetar i Prishtinës me shembjen e ndërtimeve pa leje, një nga problemet më delikate të kryeqyetit kosovar.
Akoma pa e marrë zyrtarisht detyrën, atij i kanë shkuar dhjetëra informacione për ngritjen e objekteve vetëm gjatë këtyre ditëve që pushteti komunal është në proces tranzicioni.
Në një konferencë për media, Ahmeti u beri thirrje ndërtuesve që të ndërpesin punën dhe paralajmëroi masa të ashpra për të gjithë.
“Top-Channel” filmoi njërin nga objektet, të cilit i janë shtuar katet ditëve të fundit e për të cilën foli edhe vete kryetari Ahmeti.
“Nga aja që po shohim dhe ajo që kemi parë është se disa prej tyre nuk mund të jenë me leje ose nëse janë dhënë janë të jashtëligjshme pasi janë ndërtuar në afërsi të jashtëzakonshme me objekte të tjera, janë në lagje ku planet rregulluese nuk lejojnë ndërtime të larta. Pra, është e qartë që një numër i këtyre ndërtimeve është duke u bërë në mënyrë të paligjshme. Unë sot e shfrytëzoj këtë konferencë për shtyp duke i bërë apel të gjithë ndërtuesve që t’i ndalin këto ndërtime pa leje pasi këto nuk do të tolerohen pas datës 26 Dhjetor. Njëkohësisht, i bëj thirrje punonjësve të inspeksionit që të vazhdojnë punën si në kushtet më normale”, deklaroi zoti Ahmeti.
Uzurpimi i pronës publike ne Prishtinë është po kështu një problem, për të cilin Shpend Ahmeti premton zbatim të ligjit në mënyrë të barabartë për të gjithë.
Madje, ai përmendi edhe kafenete në kryeqytet për të cilat siç thotë ai ekzistojnë standarde të dyfishta.
“Banorët e lagjeve janë ankuar se në një pjesë të madhe të Komunës së Prishtinës në zona të ndryshme kanë ndodhur uzurpime të pronës publike për përfitime personale e private. Ka një numër të madh të këtyre rasteve dhe mendoj se për të gjitha këto do të veproj punën menjëherë për adresuar çështjen në mënyrë të ligjshme”, shtoi kryekomunari.
Se kush do të punojë me dikasteret qeveritare, bashkë me Shpend Ahmetin në Komunën e Prishtinës ende nuk dihet.
Por, ajo për të cilën tashmë dihet është se me 26 Dhjetor mbahet mbledhja e inaguruese e Kuvendit Komunal të Prishtinës, ku Ahmeti dhe këshilltaret komunalë bëjnë betimin dhe zyrtarisht marrin mandatin.
Top Channel