
“Pasha Allahun! Do te hakmerremi për torturat dhe keqtrajtimet barbare
dhe monstruoze në burgun e Gjilanit”. Kjo është vetëm një fjali nga
letra e gjatë e dërguar në media nga i ashtuquajturi Grupi i
Xhihadistëve të Kosovës.
Nëpërmjet këtij e-maili ky grup kërcënon Policinë e Kosovës se do t’i përgjigjet me terrorizëm për atë që ata e quajnë keqtrajtim në burgun e Gjilanit të gjashtë të arrestuarve të cilët dyshohen për terrorizëm.
“Prandaj ngrihni duart, bashkoni shuplakat dhe goditni felëshuesit me goditje të renda. Goditni ata të cilet i arrestuan dhe torturuan hoxhallarët dhe vëllezërit tanë. Në këtë menyrë që terrorizmit t’i përgjigjeni me terrorizem””, thuhet në letër.
Në letren me plot gabime gjuhesore, megjithatë ka zënë vend edhe fjalë të reja. ‘Felëshues’ konsiderohen ata të cilët, sipas këtij grupi, tentojnë ta mposhtin Xhihadin.
“Mjaft me ju duruam. Ju duruam kur sulmuat dhe gjatë faljes se namazit. Ju duruam madje edhe kur e arrestuat dhe ekstraduat hoxhën e dashur Shukri Aliu. Ju duruam edhe kur arrestuat robrit e Allahut. Por tash nuk do të ketë me falje” vijon kjo letër.
Në policinë e Kosovës nuk kanë informacione për këtë letër. Sipas zëdhënësit Baki Kelani, çdo informacion dhe kërcënim i tillë hetohet nga njësia përkatëse. Tregti me armë, armëmbajtje pa leje, sulm fizik dhe vepër penale nxitje e urrejtjes dhe e përçarjes janë disa nga veprat e tjera për të cilat dyshohen gjashtë të arrestuarit të cilët aktualisht janë në paraburgim.
Top Channel