
Gennaro Gattuso foli për ‘Sportmediaset’ në lidhje me çështjen e trukimit të ndeshjeve ku e pa veten të përfshirë së bashku me Christian Brocchi, ish-lojtarin e Milanit dhe Lazios.
“Jam i nxehur dhe i ofenduar”, theksoi ish-mesfushori i klubit kuqezi, i cili shtoi se është i vendosur për të treguar pafajësinë e tij.
“Jam i kthjellët dhe do të sqaroj gjithçka. Nuk dua të kem njollë në karrierën time. Në jetën time nuk kam vënë kurrë baste”, deklaroi Gattuso.
“Është absurde, e pabesueshme. Nuk e di se çfarë duan nga unë. Unë nuk e di ç’do të thotë të trukosh një ndeshje. Tani të shohim se çfarë do të ndodhë, por jam i sigurtë se gjithçka do të sqarohet”, shtoi ish-lojtari i Milanit dhe kombëtares italiane.
…
Policia italiane ka ndërmarrë mëngjesin e së martës një operacion të ri
kundër basteve klandestine në futboll, duke arrestuar 4 persona.
Bota e futbollit tronditet sërish, shkruan e përditshmja “Corriere della Sera”, sipas të cilës ish-lojtari i Milan, Gennaro Gattuso dhe ish-lojtari i Lazios, Cristian Brocchi janë përfshirë në rrjetën e hetimit.
Gjithësej janë 20 të hetuar nga ana e policisë së Kremonës, përfshirë këtu futbollistë dhe ish-futbollistë të shumtë, si dhe 30 ndeshje që dyshohet të jenë trukuar.
Burimi saktëson se akuza që rëndon ndaj Gattuso dhe Brocchi është ajo e veprës penale me qëllim mashtrimin dhe falsifikimin e rezultateve sportive.
Me urdhër të prokurorit, policia ka kontrolluar prona të dy ish-lojtarëve, të cilët rezultojnë të lidhur me persona që konsiderohen si ndërmjetës mes futbollistëve dhe bastvënësve të shumave të mëdha.
Bëhet fjalë për 4 shtetas italianë, të arrestuar, që shpesh herë kanë shkuar në Milanelo, qendra e stërvitjes së ekipit kuqezi dhe që shpesh herë kanë shkëmbyer sms me Gattuso.
Kjo ka ndodhur në shkurt të vitit 2012, kur ishin luajtur ndeshjet e Milan, Lazio dhe Juventus, në të cilat ndërmjetësi Francesco Bazzani ishte përpjekur të ndikonte.
Gjithësej kanë qenë 4 urdhër-arrestet e firmosura nga prokuroria, në mbyllje të fazës së fundit të hetimit “Last Bet”, që nisi në qershor të vitit 2010, ku u përfshinë dhjetër lojtarë e ish-lojtarë, mes të cilëve Beppe Signori, Cristiano Doni dhe Stefano Mauri. Arrestimet janë kryer në Milano, Bolonja, Rimini dhe Mesina.
Top Channel