Eshtë mbledhur në Bruksel, Këshilli i Ministrave të Jashtem të Bashkimit
Europian nga i cili pritet të merret vendimi, nëse do të jepet statusi i
vendit kandidat ose jo Shqipërisë.
Duke raportuar nga Brukseli, gazetarja e Top Channel atje Arta Tozaj bëri me dije se ministrat europianë tashmë kanë nisur diskutimet mbi zgjerimin. Fillimisht është folur në përgjithësi për integrimin e Islandës dhe Turqisë dhe vendeve që Ballkanit,si dhe është konfirmuar se anëtarësimi i mundshëm i këtyre vendeve do të bëhet kur të plotësohen kriteret e Kopenhagenit.
Eshtë vlerësuar se në themel të politikës së zgjerimit është sundimi i ligjit, funksionimi i institucioneve demokratike, lufta ndaj krimit dhe korrupsionit, si dhe garantimi i të drejtave të njeriut veçanërisht për minoritetet, por edhe zhvillimi ekonomik dhe punësimi.
Ministrat e BE-së pritet të nisin edhe diskutimet edhe për vendet specifike, sipas paketës së zgjerimit, dhe sipas rradhitjes mësohet se diskutimi do të nisë së pari mbi Turqinë, më pas për Islandën do të vijohet me Malin e Zi dhe pastaj ndoshta për Shqipërinë, meqënëse pritet që të diskutohet në fund paralelisht mbi Serbinë dhe Kosovën.
Por çfarë do të votohet sot dhe nga sot deri në datën 19 mund të ketë ndryshime që mund të ndikojnë pozivisht apo jo?
Për këtë gazetarja Tozaj thekson se këtë të martë ministrat duhet të përgatisin konkluzionet mbi paketën e zgjerimit, që i përcillet samitit europian të krerëve të shteteve dhe qeverive që mbahet këtë të enjte dhe të premte. Sipas procedurës për çështjet e zgjerimit,
Këshilli vendos me konsensus dhe që ky të arrihet nevojitet mbështetja prej 28 vendeve anëtare. Mjaftojnë që një vend anëtar të mos jetë dakord dhe Këshilli i Ministrave mund të konkludojë për shtyrjen e dhënies së statusit kandidat ndaj Shqipërisë.
“Nuk pres që për Shqipërinë të ketë diskutime të mëtejshme në nivel kryeministrash. Me përvojën e hasur deri tani, mendoj se samiti europian vetëm i konfirmon konkluzionet të tilla që i vendosin ministrat dhe nëse ministrat konkludojnë për dhënien e statusit atëherë kjo konfirmohet në fundjavë. Nëse jo, samiti do të përcjellë të njëjtat përfundime mbi Shqipërinë”, raporton Tozaj.
Ka patur hamendesime se mund te caktohet qershori si nje afat i dyte, per t’u dhene me shume kohe vendeve skeptike, qe e kane kerkuar tashme edhe publikisht kete. Por sa qendron ky version?
Për ketë Tozaj thotë: “Ky është plani B. Në rast se pas diskutimeve të pasdites vendet hezituese anëtare nuk do të pajtohen për dhënien e statusit kandidat këtë dhjetor, siç thotë rezoluta e Parlamentit Europian dhe siç e mbështet shumica e vendeve anëtare përfshirë presidencën lituaneze, atëherë Këshilli duhet të gjejë një kompromis tjetër dhe në këtë rast mësohet se mund të ketë një formulim të dytë në konkluzionet për Shqipërinë, ndryshe nga drafti i publikuar, duke përcaktuar se vendimi për statusin kandidat do të merret gjatë presidencës së ardhshme, pra në 6 muajt e ardhshëm, kur BE udhëhiqet nga Greqia, por pa specifikuar nëse ky vendim i kalon samitit të marsit apo të qershorit”.
Zyrtarë të presidencës aktuale lituaneze të BE-së besojnë fort se mund të arrihet konsensusi këtë dhjetor, meqënëse është dakort shumica e vendeve, kryesisht vendet e Europës Lindore, por edhe mbështetësit tradicionale të Shqipërisë, Italia, Austria, Sllovenia dhe së fundmi edhe Kroacia, raporton Tozaj.
Por duke duke patur parasysh se vendet hezituese si Holanda, Danimarka, Gjermania, Franca, Britania dhe deri diku Finlanda, shquhen për peshën e tyre në Bashkimin Europian dhe për të qenurit striktë ndaj plotësimit të kritereve, ndaj plani B i presidencës aktuale lituaneze është që në këto konkluzione të përcaktohet që tani se statusi për Shqipërinë do t’i kalojë presidencës greke, për të mos humbur një vit kohë mbi këtë çështje, deri në dhjetor 2014, kur diskutohet nga Këshilli i Zgjerimit, sipas rekomandimeve të ardhshme që do të bëjë Komisioni.
Ministrat e BE-së, disa të vendosur për “Po”, disa kërkojnë ende kohë
Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian pritet të vendosë mbi
paketën e zgjerimit, sipas rekomandimeve të tetorit nga Komisioni
Europian, përfshi dhënien e statusit kandidat ndaj Shqipërisë.
Përpara mbledhjes ministrat vlerësuan pozitivisht zhvillimet e fundit në vend, por për të shpërblyer këtë duhet arritur konsensusi dhe disa shtete anëtare kërkojnë më shumë kohë dhe dëshmi nga Tirana.
“Ne e mbështesim me vendosmëri kandidaturën e Shqipërisë, por sigurisht që për këtë ka ende disa çështje të hapura”, tha Alex Stubb, Ministri finlandez për Çështjet Europiane.
“Nuk kemi vendosur ende asgjë. Do ta shohim me kolegët tanë se cili do të jetë qëndrimi i Këshillit për këtë. Ndoshta mund t’ia përcjellim samitit europian, ose mbase konkludojmë sot për këtë, pasi të kemi dëgjuar se çfarë do të thonë kolegët”, thotë Frans Timmermans, ministër i Jashtëm i Hollandës.
“Pozicioni i Danimarkës është se vendi ka bërë shumë progres, por neve do të na duhej të kishim gjurmë të qëndrueshme provash përpara se të vendosim për dhënien e statusit kandidat”, tha Nik Hækkerup, minister per Çështjet Europiane në Danimarke.
“Kroacia pati inicuar letrën për rekomandim të statusit kandidat për Shqipërinë. Ne mendojmë se vendi e meriton dhe kjo u mbështet nga shumë shtete anëtare gjatë Këshillit të ministrave dje. Ta shohim se ç’do të ndodhë sot, por përsa i takon Kroacisë, Shqipëria i ka plotësuar kriteret për marrjen e statusit kandidat dhe ne do të punojmë vendosmërisht në këtë drejtim për ta mbështetur këtë pozicion”, tha Vesna Pusic, zëvendëskryeministre dhe ministre e Jashtme e Kroacisë.
“Shpresoj që të marrim një vendim pozitiv për statusin kandidat të Shqipërisë, por nuk jam i sigurtë për këtë sepse e di që ka rezerva nga disa vende. Statusi kandidat nuk është diçka e mirëpërcaktuar qartë se çfarë do të thotë, e nga ana tjetër nuk është se ka shumë rëndësi. Është e vërtetë se mund të thuhet se ka ende gjëra për t’u bërë nga Shqipëria.Di gjithashtu se duhet të bazohet mbi kritere objektive. Pra, është një kod gjykimi dhe në pikpamjen tonë, ata kanë punuar më mirë sesa prisnim, në aspekt të zgjedhjeve, qeverisë së re dhe nisjes së punës prej tyre. Unë mendoj se duhet paguar kjo, e pas kësaj, Shqipëria ka një rrugë të gjatë për të ecur”, tha Karl Bildt, minister i Jashtem i Suedise.
“Sigurisht, e mbështesim e deri në fund të javës do shihni se kemi për të gjetur një zgjidhje”, tha Jean Asselborn, ministër i Jashtëm i Luksemburg.
“Ne do të shkëmbejmë mendime dhe do vendosim sot mbi konkluzionet për sa i takon zgjerimit, përfshirë Shqipërinë”, thotë Linas Linkevicius, ministër i Jashtëm i Lituanisë.
Konkluzionet e Këshillit për Shqipërinë pritet të jenë pozitive edhe nëse vendoset për shtyrjen e dhënies së statusit kandidat, me shumë gjasë, për në samitin e pranverës.
Ndërkohë që për Serbinë, 28 ministrat europianë pritet të vendosin për celjen e negociatave këtë janar.
Përgatiti: ARTA TOZAJ
Top Channel