“BE vlerësoi punën e qeverisë”

17/12/2013 00:00

Qeveria shqiptare e ka pritur me qetësi vendimin e Këshillit Europian. Duke e konsideruar marrjen e statusit të vendit kandidat vetëm një çështje kohe, për kryeministrin Edi Rama, ajo që ka tani rëndësi është vlerësimi pozitiv, që qeveria e tij ka marrë në Bruksel.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, kryeministri Rama, duke përdorur një gjuhë diplomatike, ka lënë të kuptohet se shtyrja e statusit ka të bëjë me zhvillimet brenda vendeve anëtare.

Caktimin e muajit qershor, si kohën tjetër të vendimmarrjes, kryeministri e cilëson si një kompromis të vet Bashkimit Europian, i cili, siç shkruan zoti Rama, është gjendur mes arritjeve të Shqipërisë dhe ngërçit të brendshëm.

Për qeverinë shqiptare, dhe veçanërisht për Ministrinë e Integrimit, e cila nxori deklaratë zyrtare, është shumë inkurajues fakti që Këshilli Europian ka vlerësuar progresin domethënës dhe angazhimin e qeverisë së re, për të intensifikuar punën në kuadër të procesit të integrimit, duke theksuar se Shqipëria është në rrugë të mbarë dhe se marrja e statusit është vetëm çështje kohe.

Ministria e Integrimit thotë se “Këshilli i ka cilësuar mbresëlënëse hapat e ndërmarra, sidomos për sa i përket reformave integruese, duke vënë theksin te konsensusi i arritur nga klasa politike”.

Duke siguruar partnerët perëndimorë dhe qytetarët shqiptarë për vazhdimin me shpejtësi të reformave të kërkuara, Ministria e Integrimit thekson qëndrimin e Këshillit Europian se “qeveria dhe Parlamenti i ri kanë treguar se kanë mundësi për ta mbajtur këtë konsensus politik”.

Statusi, PD fajëson qeverinë
Basha: Edi Rama, tashmë është i pabesueshëm për Brukselin

Për opozitën, përgjegjësia për mosmarrjen e statusit është vetëm e qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, mbrojti tezën se Partia Demokratike u largua nga pushteti, duke mundësuar një rekomandim pozitiv për Shqipërinë dhe se kishte lënë gjithçka gati.

“Ne bëmë gjithçka që duhej bërë, kur ishim në qeveri, dhe gjithçka që mund të bënim, kur dolëm në opozitë. Por, siç u pa sërish sot, suksesi në synime të tilla kërkon doemos qeverinë, që duket qartë se është problemi. Asgjë e re nuk ka ndodhur me statusin këto tre muaj, veçse është ndryshuar qeveria e Shqipërisë. Shtyrja e statusit është përgjegjësi e saj, është vepër e saj”, tha Basha.

Krejt ndryshe nga kryeministri Rama, kreu i opozitës nuk e sheh problemin te vendet anëtare, por tek ajo që e quan goditje të shtetit ligjor me paligjshmëri dhe arbitraritet, gjë që, sipas zotit Basha, ka ushqyer skepticizmin e disa vendeve anëtare.

“Ka ikur koha e armiqve të jashtëm”.

Mosmarrjen e statusit këtë vit, Partia Demokratike e konsideron si një borxh, që kryeministri Rama duhet t’ua paguajë shqiptarëve me largimin e tij nga qeveria.

“Ai që e bllokoi kur ishte në opozitë, e humbi me sjelljen e tij kur erdhi në qeveri. Edi Rama është sot në borxh ndaj shumicës dërrmuese europianiste të Shqipërisë për çështjen e statusit. Shtyrja e statusit, për shkak të skepticimit, që ka ushqyer qeveria Rama-Meta, është goditja më e rëndë që merr kjo mazhorancë, pas goditjes që ka marrë nga qytetarët e vet dhe patnerët tanë strategjikë për çështjen e armëve kimike. Në këtë moment, Edi Rama është i pabesueshëm edhe për Europën. Me bilanc zero në të gjithë paketën e premtimeve të tij për 100 ditët e para, drejt zeros po rrokullisen edhe arsyet se përse duhet të vazhdojë të jetë në krye të qeverisë, me gjithë këto dështime të bujshme brenda dhe jashtë vendit”, deklaroi Basha.

Top Channel