Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton
paraqet të martën para Këshillit të Ministrave raportin për zbatimin e
Marrëveshjes së Brukselit, midis Kosovës dhe Serbisë.

Ashton e ka cilësuar si mbresëlënës përparimin në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe ka bërë thirrje që me Serbinë të hapen negociatat e anëtarësimit në BE.

Sipas raportimeve të “REL”, ministrat pritet të përshëndesin hapjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Kosovën dhe t’iu bëjnë thirrrje autoriteteve kosovare që të bëjnë më shumë për të përmbushur kushtet që nevojiten për të përmbyllur këto negociata.

Nga Kosova pritet të kërkohet gjithashtu që të bëjë më shumë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe të kryejë rerformën zgjedhore në prag të zgjedhjeve që do të zhvillohen vitin e ardhshëm. Ministrat do të diskutojnë sot edhe për procesin e zgjerimit me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në takimin e fundit Kosova dhe Serbia nënshkruan memorandum mirëkuptimi për bashkëpunim ekonomik, por nuk arritën marrëveshje për gjykatat në veri, as në raundin e 20-të të dialogut në Bruksel, që sipas kryeministrit Hashim Thaçi “nuk ishte i fundit”. 

Top Channel